Përplasje në Komisionin për Punë të Jashtme, Haradinaj kapet me Pacollin për diplomatët

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla është përplasur në Komisionin për Punë të Jashtme me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollin

Haradinaj ka reaguar pasi që deputetja e LVV’së i ka quajtur vendimet e saj për diplomatët të jashtëligjshme.

Ministrja e Punëve të Jashtme ka thënë se vendimet e saj kanë qenë të bazuara në ligj dhe në rregullore.

“Vendimet e mia nuk janë të jashtlgijshme janë të bazume në ligj dhe rregullore, nuk bëj kompromis me ligjin. Du me të korrigju që nuk janë anulim të vendimeve të ish’ministrit, sepse asnjë vendim nuk e kam anulu. Janë pezullu, ka dallim substancial”, ka thënë ajo, duke shtuar se Pacolli nuk e di dallimin mes ambasadorëve dhe diplomatëve.

“Deputete je moti në komision për punë të jashtme, për mu është skandaloze mos me ditë dallimin në mes të ambasadorëve dhe diplomatëve”, tha Ministrja.

“Janë 52 diplomatë që kthehen deri në fund të vitit. Emrat që I përmende, secili e ka ndonjë lidhje politike ky nuk shtë problemi im, këta i kam gjetë aty. Nuk mundem me i shkarku 200 veta pse kanë lidhje politike. Masi u prish qeveria ju e keni bë vendimin me motiv politik e keni kthy Ronin. I keni kthy krejt diplomatët tu e përfshi edhe ambasadorët, e keni defunksionalizu New Yorkin. S’keni dërgu në mision tjetër në kohë të pandemisë.

Unë s’jam kryetare e ndonjë partie, nuk marrë ndonjë vendim për emërim të zv.ministrave”, shtoi ajo.

Haradinaj ka thënë se Glauk Konjufca sa ishte ministër e ka defunksionalizuar misionin në Hagë, në kohën kur priten aktakuzat e para të Speciales.

“Merre me mend çka keni bo, në kohë vendimtare për vendin e keni defunksionalizu misionin në Hagë, a ka ma turp. E keni lanë misionin pa asnjë diplomat.

Vëllai yt udhëheq propagandë, kundër UCK’së kundër njerëzve të Kosovës, vëllai yt e bën një punë që nuk duhet me bo, e dinë ti shumë mirë”, tha ajo.