Përplasje LDK-PDK në Lipjan, Ahmeti e Rizani përfshijnë edhe familjet në debat

Ekzekutivi i Komunës së Lipjanit i udhëhequr nga Imri Ahmeti dhe subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan e udhëhequr nga kryetari Hyzer Rizani, kanë vazhduar me akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit si asnjëherë më parë, duke i apostrofuar familjet e tyre për vepra të këqija.

Fillimisht, në mbledhjen e së enjtes të Kuvendit Komunal, kryetari Ahmeti ka thënë se opozita po merrej me identifikimin e dëmtimit të trotuareve duke mos i shikuar objektet tetë katëshe të cilat janë ndërtuar pa leje gjatë qeverisjes së PDK-së, pjesë e së cilës ishte edhe babai i kryetarit aktual të PDK-së Hyzer Rizani.

“Nuk shihet objekti tetë katëshe pa leje ndërtimore para selisë aktuale të PDK-së dhe nuk shihet ajo gropa aty, por shihet një trotuar i dikujt atje. Nuk shihen as objekte të tjera. A e dini pse janë ndërtuar, vetëm për ta marrë punën e kanalizimit dhe ujësjellësit babai i kryetarit aktual i PDK-së apo ish-drejtori i Inspektoratit të Komunës”, ka thënë Ahmeti.

Kjo deklaratë ka shtyrë kryetarin e PDK-së Hyzer Rizani të dalë në një konferencë për media të premten ku ka numëruar keqpërdorimet e kryetarit të Komunës Imri Ahmeti.

“E keqja e ndërtimeve pa leje në komunën e Lipjanit ka filluar nga kryetari Ahmeti derisa ishte shef ekzekutiv shumë vjet më parë. Ky kryetar për përfitimin e një lokali, ka tejkaluar planin urbanistik të Komunës, andaj rruga me katër korsi në qytet prej asaj kohe ka mbetur peng i dallavereve të tij”, ka thënë Rizani. Sipas tij, kryetari Ahmeti padrejtësisht ka apostrofuar familjen e tij në mbledhjen e Kuvendit Komunal, andaj sipas tij, deri tash nuk është marrë asnjëherë me familjen e askujt në pushtet me qëllim që të mos degradohet debati. Sipas Rizanit, pasi që kryetari Ahmeti është marrë me apostrofim të familjeve, atëherë ka numëruar disa keqpërdorime në të cilat kishte involvuar familjarët.

“Tenderin prej një milion eurosh për renovimin e shkollës “Adem Gllavica” e ka përfituar një i afërm i familjes së kryetarit, ndërkaq për negocimin e këtij tenderi ne dyshojmë se djali i Ahmetit ka përfituar një veturë luksoze. Nëse merrem me familjen tënde do të thosha se gjatë qeverisjes tënde ke punësuar djalin në KRU ‘Prishtina’ dhe vajzën në Telekomin e Kosovës. Prandaj edhe në politikë duhet të kesh moral sepse në mbledhjen e kaluar keni ofenduar shumë rënd edhe drejtorin e juaj”, ka thënë Rizani. Ai ka shtuar se PDK-ja ka reaguar për keqpërdorimet me pako ushqimore.

“Edhe tenderi për dezinfektim ka pasur keqpërdorime të mëdha dhe dëmtim të buxhetit prej 15 mijë eurosh. Në politikë duhet të keni moral sepse ne nuk bëjmë shpifje sikur ju, andaj të gjitha këto dosje i kemi dorëzuar në Prokurori. Prandaj për dëmtimin e pronës publike në shumë raste nuk keni intervenuar fare, andaj një prej rasteve që ne e kemi dërguar në Prokurori është ai i dëmtimit të parkingjeve. Keni kaluar në një shkallë duke i detyruar familjet sociale për t’i tërhequr nënshkrimet lidhur me një peticion, andaj keni bërë vepër penale”, ka kritikuar Rizani. Ai ka bërë me dije se tash e tutje do t’i publikojnë disa keqpërdorime personale të Imri Ahmetit dhe zyrtarëve të tij, duke bërë negociata për të marrë banesa dhe për të përfituar para nga operatorët e ndryshëm.

“Për të gjitha këto kemi video-incizime, prandaj të gjitha do t’i publikojmë në të ardhmen”, ka thënë Rizani.