Mosdekretimi i kandidatit Sandër Lleshi për postin e Ministrit të Brendshëm nga ana e Presidentit Meta ka bërë që kryeministri Rama të shkojë në zyrën e Kreut të Shtetit këtë të dielë.

Pas rreth një ore e 20 minutash në takim kokë më kokë, Rama ka dalë nga Presidenca përmes makinës.

Asnjë deklaratë zyrtare nuk është bërë publike deri më tani në lidhje me takimin që në fokus ka patur mosdekretimin e kandidatit për Ministër të Brendshëm, Sandër Lleshit.

Kujtojmë se ditën e djeshme Presidenti vendosi të mos dekretojë propozimin e Ramës me argumentin se nuk ishte krijuar një bindje e plotë për kandidaturën e Sandër Lleshit si Ministër i ardhshëm i Brendshëm i Shqipërisë.

Javën e kaluar Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit në mënyrë krejt të papritur. Lajmin e përcolli vetë Rama përmes një statusi në rrjetin social, kurse arsyet e vërteta të largimit të Xhafajt mbeten ende mister.