Përplasja mes Yuri Kim dhe Ilir Metës, Rama: Ti thuash ambasadores boll mbrojtje Edi Ramën është një muhabet zhelesh

Kryeministri Rama, i ftuar në “Open” mbrëmjen e sotme, ka komentuar përplasjet mes Ambasadores Yuri Kim dhe Presidentit Meta.

Kreu i qeverisë thotë se është një fatkeqësi që Ilir Meta është President i Shqipërisë dhe e cilëson si një person, “që është komplet jashtë binarëve dhe është fatkeqësi për gjithë ne, sepse Shqipëria është pa president sot, është hedhur nga dritarja dhe ndodhet mes nesh si një agjitator i dhunës dhe ekstremeve që janë të paimagjinueshme”.

Rama thotë se 25 prilli është dita që shqiptarët do të vendosin se me çfarë fytyre duan të përfaqësohen në botë dhe me çfarë karakteresh duan të përfaqësohen.

Kryeministri përsërit fjalët e tij se kreu i PD-së, Lulzim Basha është nën kontrollin e Presidentit Meta dhe Sali Berishës.

“Unë komentin që bëj e bëj duke iu drejtuar të gjithë atyre që na dëgjojnë. Më 25 prill përveç të tjerëve duhet votuar për dinjitetin e Shqipërisë që është bërë zhele nga një presidentin zhele. Është e pakonceptueshme për një vend si Shqipëria, anëtar i NATO-së pret stërvitjen më të madhe të organizuar nga NATO në këtë pjesë të botës. Është vend për BE dhe ka marr dritën jeshile për çeljen e negociatave. Të dëgjosh një të dehur totalisht që fatkeqësisht është presidenti i Shqipërisë, problemi është çfarë Shqipërie duan shqiptarët të nesërmen, një Shqipëri që të kthehet në duart e Metës dhe Berishës dhe të futet në një kurs përplasjesh me botën, apo një Shqipëri që të çlirohet nga Meta dhe Berisha dhe ti japi opozitës një arsye të reflektojë rreth vetvetes dhe për tu zgjuar pas kaq vitesh. Kjo është zgjedhja.

Të komentosh një njeri që është komplet jashtë binarëve dhe është fatkeqësi për gjithë ne, sepse Shqipëria është pa president sot, është hedhur nga dritarja dhe ndodhet mes nesh si një agjitator i dhunës dhe ekstremeve që janë të paimagjinueshme dhe të arrihet të flasë si një kalama, si një kastravec, ti thuash ambasadores boll mbrojtje Edi Ramën është një muhabet zhelesh. Është 25 prilli dhe shqiptarët vendosin se me çfarë fytyre duan të përfaqësohen në botë, me çfarë karakteresh duan të përfaqësohen dhe si do jetë ky vend për shumë vite që vjen. Goditja e merituar ndaj Ilir Metës dhe Berishës që janë nën kontroll të gjithçka bën Basha dhe Monika”, u shpreh Kryeministri Rama.

Dy ditë më parë Ilir Meta u kërkoi qytetarëve që të “mprihnin sëpatat e sfurqet” për të mbrojtur votën në 25 Prill, ndërsa mbrëmjen e sotme ambasadorja amerikane i kërkoi të ndalet duke i cilësuar të papranueshme deklaratat.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit Ilir Meta, i cili nga një studio televizive i është përgjigjur që të mos mbështesë më Ramën dhe të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë.