Procesi i rekrutimit të noterëve të rinj ka përplasur sot deputetët e Komisionit për Legjislacion me ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri, të cilët e kanë akuzuar ministrin se i gjithë procesi për noterët e rinj është bërë për nevoja të PDK-së.

I gjithë raportimi i ministrit për këtë temë është përcjellë me përplasje në mes tij dhe kryetares së Komisionit për Legjislacion e cila vjen nga Lëvizja Vetëvendosje Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit së pari ka kërkuar të dijë se kush janë anëtarët e Komisionit për Provimin e Noterisë, ku në përgjigjen e tij ministri Tahiri bëri të ditur anëtarët dhe zëvendësit e tij.

Në këtë komision ai tha se kanë qenë Nehat Idrizi, Frosina Sylejmani, Merita Kostanica, Arsim Avdija, Elbasan Dervishaj, Burbuqe Spahija, Haxhë Qorraj, Arsim Bibaj, Nergjivane Dauti, Bashkim Preteni dhe sekretar Labinot Gashi.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se testimit të noterisë i janë nënshtruar 600 persona, prej të cilëve 230 e kanë kaluar fazën e parë të testimit me shkrim dhe nga ky numër 175 persona janë që e kanë përfunduar provimin në të dyja fazat.

Debat në mes ministrit dhe deputetes Haxhiu ka ngjallur që disa anëtarë të Komisionit për provim të Noterisë kanë pasur anëtarë të familjes që i janë nënshtruar provimit të noterisë.

Ministri Tahiri ka akuzuar deputeten Haxhiu se ka probleme elementare sa i përket njohurive të këtij procesi.

Tahiri tha se të gjithë kandidatët në testim kanë pasur një kod, i cili nuk ka qenë i ditur për anëtarët e komisionit.

Ai tha se sekretari i Komisionit ka qenë i vetmi që e ka ditur se cili kod i takon secilit, e vetëm pasi që janë kontrolluar testet janë përkthyer kodet në emra.

Deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi, ka pyetur ministrin se si shpjegohet që nga 600 persona 60 që kanë hyrë në rreth të përzgjedhjes janë njerëz që kanë lidhje me PDK-në. Por, ministri Tahiri në përgjigjen e tij tha se nuk janë 60 njerëz që kanë lidhje me politikën, por janë 60 njerëz që në një formë e kanë gjet një lidhje. Ai tha se njerëzit që më së shumti e kanë kaluar provimin e noterisë janë persona që kanë punuar në zyre të noterisë.

Kurse, deputeti i Nismës Socialdemokrate Bilall Sherifi, e ka pyetur ministrin se nëse sipas udhëzimit administrativ parashihet që testi të mbahet në një ditë, pse është organizuar në dy ditë.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha se është organizuar testimi në dy ditë për shkak të numrit të madh të kandidatëve që i janë nënshtruar testimit.

Ministri është pyetur edhe për përzgjedhjen e dy noterëve që kanë qenë pjesë e komisionit, ku ai tha se është përzgjedhur noterja Merita Kostanica për shkak se ka marrë pjesë në intervistimin e shumë personave që punojnë në Ministrinë e Drejtësisë e që paguhen nga Mbretëria e Bashkuar.

Deputeti i LDK-së Arben Gashi, e ka pyetur ministrin se a ka pasur ndonjë rast që është paraqitur si konflikt interesi. Në përgjigjen e tij, ministri Tahiri tha se janë tetë raste që janë paraqitur si konflikte të interesit, e që ai tha se këto raste janë shmangur.

Ai tha se këto raste nuk e cenojnë procesin pasi këto raste janë shmangur, ai tha se kur është pyetur personi që ka pasur konflikt interesi pyetjet janë shtruar nga zëvendësi i tij.

Përplasja në mes ministrit të drejtësisë Abelard Tahiri dhe deputetes Albulena Haxhiu ka vazhduar edhe për çështjen se a duhet të anulohet i gjithë procesi i rekrutimit të noterëve të rinj. Haxhiu e ka akuzuar ministrin Tahiri se i gjithë procesi është bërë për nevoja të partisë së tij.

Në këtë mbledhje të komisionit është diskutuar edhe për kërkesat e administratës së sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës që lidhen me Ligjin e Pagave. Sa i përket kësaj të fundit, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, deklaroi se është një ligj që beson që Gjykata Kushtetuese do ta kthejë si anti-kushtetues pasi sipas tij nuk e reflekton barazinë e pushteteve që e përcakton Kushtetuta e vendit.

Për këtë ligj Tahiri tha se i ka shkruar kërkesë presidentit të vendit Hashim Thaçi, që të bëjë kthimin e ligjit në lexim të tretë, por që si kërkesë ishte refuzuar.

Ai bëri të ditur se së bashku me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial kanë arritur t’i ofrojnë të gjitha argumentet e tyre dhe që gjatë kësaj jave do të shkojë një shkresë tek Avokati i Popullit me argumentet pse ky ligj është antikushtetues.

loading…