Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, para pak ditësh ka bërë publik emrat e udhëheqësve të drejtorive komunale, pjesëtarët e kabinetit dhe këshilltarët e tij. Por, kreu i kryeqytetit, siç duket pjesë të kabinetit e ka edhe një person tjetër, emrin e të cilit nuk e ka publikuar, i cili dikur ishte Zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Demokracia.com merr vesh Bekim Brestovci, i cili ishte edhe kandidat për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, parti nga e cila u tërhoq pak javë më parë, është bërë pjesë e ekipit të Përparim Ramës.

Ky i fundit, në prezantimin e ekipit të tij nuk e ka publikuar edhe emrin e Brestovcit.

Megjithatë, vetë ish-zëvendësministri ka shpërndarë pamje nga mbledhja e Ramës me zyrtarë të tjerë të komunës, ku u bisedua për punët e mëtutjeshme.

Në këtë postim të shpërndarë në rrjetin social Facebook është edhe një koment, ku Brestovcit i urohet fat në punën e re.

Brestovci në janar të vitit 2022 konfirmoi se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që mbante në partinë e drejtuar nga Fatmir Limaj./Demokracia.com/