Një përplasje e ashpër ka shpërthyer mes Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, lidhur me sheshin Adem Jashari në kryeqytet.

I pari i kryeqytetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka akuzuar Vetëvendosjen në Prishtinë për mos përfundimin e sheshit, sipas tij, ka qeverisur për tetë vite me radhë.

“Për tetë vite, Vetëvendosje ka udhëheq me Prishtinën. Tetë vite kanë dështu me realizu projektin e Sheshit Adem Jashari në Prishtinë, e dje tentuan të moralizojnë e të flasin për vlera.Unë, pasi kam marrë detyrën, kam kërku zhvillimin e Sheshit Adem Jashari në Prishtinë. Pesë (5) projektet e përzgjedhura janë prezantuar përfaqësuesve të familjes Jashari me 09 korrik 2024”, ka shkruar ai, raporton Ballkani.info.

Ai ka treguar se planin e projektit Kompleksin Memorial në Prekaz e ka dorëzuar edhe tek familja Jashari.

“Në vitin 2010, pra para 15 viteve, në shenjë nderimi dhe respekti për familjen Jashari, unë kam zhvilluar dhe dorëzuar një projekt për Kompleksin Memorial në Prekaz me vetëiniciativë dhe pa asnjë kompenzim financiar”, shkruar Rama.

Sipas tij, kjo arrihet kur punon dhe lartëson vlerat tona, e jo me fjalë boshe e propagandë.

“Prandaj, tentimi i Vetëvendosjes në Prishtinë të moralizojnë rreth mbrojtjes së vlerave përmes fjalëve boshe, propagandës e sabotimit e të marrin rolin e gjykatësit vetëm sa e rikonfirmon hipokrizinë e tyre” shkruan Rama në reagim.