Përparim Rama bën dallimin mes “prishtinalive” dhe të tjerëve, vë edhe ‘kritere’ se kur je i Prishtinës

Për kandidatin e LDK-së për Kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, edhe nëse jeton prej shumë vitesh në Kryeqytet dhe madje edhe nëse je i lindur në Prishtinë, nuk do të thotë se je “Prishtinali”.

Ndonëse Përparim Rama vetë për vite nuk ka jetuar në Prishtinë, ai së fundi është kthyer në kryeqytet duke synuar ta marrë drejtimin e Komunës më të madhe dhe të rëndësishme të Kosovës.

Por, përkundër se Kryetari i Prishtinës duhet të jetë i të gjithë banorëve të saj, kandidati i LDK-së Përparim Rama, që në zgjedhjet e 17 tetorit po synon të zgjidhet kryetari i ardhshëm i kryeqytetit, nuk heziton që të bëjë dallim mes atyre që ai i quan “Prishtinali” me të tjerët që jetojnë në Prishtinë.

Madje, Përparim Rama, në një intervistë në T7, në shtator të këtij viti, edhe i kishte vënë disa kritere që sipas tij e bëjnë dikë “Prishtinali”.

Për të, siç e thotë vetë në intervistë, nuk është e mjaftueshme të jesh i lindur në Prishtinë për të qenë “Prishtinali”, e assesi as sa vjet ke jetuar në kryeqytet, sipas Ramës, nuk të bëjnë “Prishtinali”.

“Duhesh me pas atë mendjen e Prishtinalisë me qenë i Prishtinës. Qajo është krejt”, ka deklaruar Përparim Rama në T7.