Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po bllokon dy projekte të rëndësishme infrastrukturore në kryeqytet – ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” dhe nënkalimit “Agim Ramadani”.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka pretenduar se të dy projektet kanë përfunduar procedurat e nevojshme dhe se, sipas tij, tashmë mbetet vetëm nisja e punimeve.
“Projektin që e largon trafikun nga sipërfaqja dhe krijon një shesh të ri publik pranë Xhamisë, Muzeut Kombëtar dhe Qytetit të Vjetër!”, ka shkruar Rama, duke iu referuar projektit të nënkalimit “Agim Ramadani”.
Sipas tij, ky projekt do t’i hapte rrugë edhe ndërtimit të Kompleksit “Adem Jashari”, për të cilin Rama thotë se “i ka kaluar të gjitha proceset e nevojshme me Kryeqytetin”.
“TË DY PROJEKTET JANË GATI. PROCEDURAT JANË KRYER. MBETET VETËM TË NISË NDËRTIMI”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës e ka drejtuar kritikën e tij ndaj Vetëvendosjes, duke e akuzuar për bllokim të projekteve dhe duke e cilësuar atë si “jashtëligjshëm”.
“Kujt po i konvenon një Kosovë pa zhvillim?”, ka pyetur Rama.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetje lidhur me arsyet e pretenduara të bllokimit të projekteve, duke shkruar: “Kush po e zbaton planin me e bo Kosovën me u duk si ‘Kandahar’? Me urdhër të kujt po bllokohet Kryeqyteti?”
Në fund të reagimit, Rama i është drejtuar qytetarëve të Prishtinës, duke kërkuar përgjigje për atë që ai e cilëson si “agjendë” kundër zhvillimit të kryeqytetit.
“Mbi 300,000 qytetarëve të Kryeqytetit i keni borxh përgjigje se cilën agjendë po e zbatoni!!!!”, ka përfunduar ai.
Pretendimet e bëra nga Rama në këtë postim nuk janë të shoqëruara me një përgjigje të Vetëvendosjes në deklaratën e publikuar prej tij.







