Përmirësim në luftën kundër korrupsionit, ka shënuar vetëm Mali i Zi

Vetëm Mali i Zi ka shënuar përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, sipas Transparency International.

Indeksi i TI radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Instituti Epik përmes një postimi në facebook, thotë se në kuadër të diskursit politik brenda BE-së, disa vende anëtarë kanë ngritur shqetësimin se procesi i zgjerimit nuk është duke siguruar reforma të qëndrueshme dhe me përfitime konkrete në jetën e qytetarëve, raporton Koha.net.

“Në këtë drejtim, brenda BE-së janë duke u zhvilluar diskutimet për reformën e procesit të zgjerimit. Në këtë kontekst, sot është publikuar Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi, kanë shënuar regres në perceptimin e korrupsionit”, thekson edhe Epik.

Raporti i sotëm nga Transparency International, shkruan instituti Epik, konfirmon shqetësimin e disa shteteve anëtare të BE-së se reformat në Ballkan nuk janë të qëndrueshme dhe me përfitime konkrete për jetën e qytetarëve.

Kujtojmë dhe njëherë se Kosova, në indeksin e sivjetmë, radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.