Përmbytjet shkaktojnë kaos në Zvicër, Holandë, Belgjikë e Gjermani, mbi 70 persona të zhdukur

Dhjetra persona kanë vdekur dhe të paktën 70 janë ende të humbur nga stuhitë e papritura të shirave në Evropën qendrore e veriore. Makina e shtëpi u morën nga ujërat në Gjermani dhe disa pjesë të Belgjikës.

Më e goditura ishte Gjermania Perëndimore me të paktën 30 të vdekur në rajonet  Rhine-Westphalia dhe ai fqinjë Rhineland-Palatinate.

Qyteza e Schuld, në jug të Bonn, ishte gjithashtu e dëmtuar rëndë më të paktën katër të vdekur e dhjetra të humbur pas ngritjes së lumit Ahr, që mori me vete gjashtë shtëpi, ndërsa të tjerë banorë strehoheshin në çatitë e banesave të tyre.

Tetë njerëz dhe dy zjarrfikës u vranë në rajonin Euskirchen gjatë përpjekjeve të shpëtimit, ndërsa rreth 300 ishin dislokuar në vend, duke punuar me autoblinda, helikopterë dhe gomone.

Në Belgjikë katër njerëz janë vrarë nga ujërat e përmbytjeve dhe një vajzë 15-vjeçare është e humbur. Dhjetë shtëpi u shembën në bashkinë e  Pepinster të përmbytura nga lumi Vesdre ndërsa banorët e rreth 1,000 shtëpive u evakuan.

“Nuk kemi parë përmbytje të tilla që prej vitit 1998”, tha kryebashkiaku i qytezës belge Chaudefontaine, Daniel Bacquelaine.

Rezidentët e Limburg, në Holandë u evakuan nga përmbytjet e natës, por nuk u raportuan viktima.

Përmbytjet e lumenjve goditën Zvicrën dhe skena të ngjashme shiheshin dhe në Luksemburg. Parashikuesit francezë dhanë sot paralajmërime për stuhi për lindjen e vendit.