Përmasat e frikshme të anijes së ngecur në Suez, po bllokon 9.5 miliardë mallra në ditë

Anija me përmasa gjigante që ka ngecur në Kanalin e Suezit, duke e bllokuar qarkullimin e anijeve tjera në rrugën e rëndësishme ujore, do të ketë ndikim shumë të madh në ekonominë botërore, paralajmëruan ekspertët.

Së paku 150 anije janë bllokuar nga ngecja e anijes 200.000 mijë tonëshe. Mallra në vlerë të 29 miliardë dollarëve janë bllokuar, shkruan Daily Mail.

Efektet e para filluan të shfaqen në tregjet botërore menjëherë. Të mërkurën, çmimi i naftës së papërpunuar shënoi rritje për 6 për qind.

Megjithatë, kostoja e vërtetë do të jetë shumë më e lartë për shkak se bllokimi i mallrave do t’u shkaktojë humbje kompanive në pjesë të ndryshme të botës.

Nëse kanali nuk zhbllokohet shpejt, kompanitë transportuese do të detyrohen që të bëjnë një lundrim shumë më të gjatë, duke shkuar përreth Afrikës për të arritur në brigjet evropiane të Oqeanit Atlantik.

Pamje nga sateliti

Sipas një eksperti të tregtisë, anija e bllokuar në Kanalin e Suezit është pjesë e një kategorie të re të anijeve ultra të mëdha, të cilat madje nuk mund të kalojnë as nëpër Kanalin e Panamasë për shkak të përmasave të jashtëzakonshme.

Anija e bllokuar në kanal është nisur nga Kina dhe destinacion e ka Roterdamin e Holandës. Me të operon një kompani tajvaneze, ndërsa është e regjistruar në Panama.