Shqipëri

Përleshje e bllokim – çfarë ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë

Seanca parlamentare e kësaj të hëne shënoi hapin e parë të bashkimit të demokratëve.

Në një aksion të dyfishtë, brenda dhe jashtë saj, deputetët e grupit Bardhi dhe ato të Rithemelimit sinkronizuan veprimet e tyre.

Garda kishte marrë masat të mbyllte dyert e Kuvendit jo vetëm për deputetët e përjashtuar, por edhe ata që nuk kishin një dënim, vendim që zemëroi demokratët.

Rebelimi i deputeteve i jepte zjarr protestuesve të cilët ndiqnin betejën përmes ekranit.

Dueti Bardhi Noka me kordonin e Gardës së Republikës dhe goditja pa shënjestër e Asllan Dogjanit me rregulloren e Kuvendit, brenda sallës, bëri që Lindita Nikolla të ndërpriste punimet menjëherë sapo pajisja zhurmuese u ndez.

Përplasjet brenda sallës ndodhnin në një kohë kur jashtë saj hidheshin flakadanë dhe kapsolle.

Ajo që bëri lajm ishte deklarata e Gzment Bardhit për bashkimin e demokratëve në protestë.

Gazment Bardhi zgjodhi të mos flasë para protestuesve, ndërkohe në podium me radhë u ngjitën deputetët që ndjekin linjën e tij.

I gjendur mes protestuesve, të cilët e kishin mbërthyer për krahu, Gazment Bardhi u gjend poshtë ballkonit të Sali Berishës i cili paralajmëroi protestën e radhës më 20 shkurt.

Hapi i bashkimit u hodh, por Gazment Bardhi hezitoi të pranonte kur u pyet nga Top Channel nëse e pranon Sali Berishën si lider politik të këtij bashkimi.

VIDEO BONUS: Punëtorja teknike ankohet për rrogën e vogël: S’po kam me çka m’i mbajtë fëmijët