Përkundër dëshpërimit që nuk iu bashkua Barcelonës, Neymar është i lumtur
Portieri i Brazilit, Ederson, ka pohuar se bashkëlojtari i tij, Neymar, është i lumtur që është bashkuar me ekipin kombëtar, pas dëshpërimit që e përjetoi për shkak se i dështoi rikthimi në Barcelonë gjatë verës.
Neymar ishte i etur të kthehej në Barçë, megjithatë, gjiganti spanjoll nuk ishte në gjendje ta riblente atë nga Paris Saint-Germainit para se afati kalimtar i verës të mbyllej të hënën.
Ishte një sagë e afatit kalimtar që i dominoi ballinat, por Neymar duket se e ka lënë pas zhgënjimin dhe i është bashkuar Brazilit në Majami për ndeshjen miqësore kundër Kolumbisë të premten dhe ndaj Perusë më 10 shtator.
I pyetur për Neymarin, portieri i Manchester City Ederson tha se 27-vjeçari është i lumtur përkundër dramës me të cilën është përballur së fundmi.
“Ai më duket i lumtur. Secili lojtar që e vesh fanellën e ekipit kombëtar të Brazilit është i lumtur”, tha Ederson.
“Nuk flas për afatin kalimtar, sepse s’e di çfarë ka ndodhur. Por e di se këtu, në ekipin brazilian, ai është i lumtur. Natyrisht që Neymar është i lumtur”, shtoi ai.