Me rastin e përvjetorit të veprimtarit dhe luftëtarit Mentor Tolaj, gjenerali Daut Haradinaj ka publikuar një mesazh përkujtimor, duke e vlerësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës së rinisë deçanase në vitet ’90-ta.
Haradinaj kujtoi periudhën e vështirë kur populli shqiptar në Kosovë po përballej me sfidën ekzistenciale për mbijetesë dhe liri, duke theksuar se rinia e Deçanit ishte ndër të parat që iu kundërvu drejtpërdrejt forcave serbe.
“Mentor Tolaj, së bashku me shokët e tij, e poshtëroi Serbinë mu në qendër të Deçanit”, shkroi Haradinaj.
Ai shtoi se, edhe pas shumë vitesh, emri dhe vepra e Mentor Tolajt vazhdojnë të mbeten simbol i lirisë, krenarisë dhe qëndresës për brezat e rinj.
Sipas Haradinajt, figura e Tolajt mbetet e gjallë në kujtesën kolektive të qytetarëve të Deçanit dhe më gjerë, si frymëzim për sakrificën dhe idealin kombëtar.
“Emri dhe legjenda e tij vazhdojnë t’i ujitin shpirtrat e brezave për liri, krenari dhe qëndresë”, përfundoi ai.
Postimi i plotë
Sot shënohet dita më e veçantë e nismëtarit të madh, Mentor Tolaj.
Në vitet e ’90-ta, kur kombi ynë po përballej me sfidën jetike “të jesh apo të mos jesh”, ishte pikërisht rinia deçanase, bashkë me shumë të tjerë, që u përballën drejtpërdrejt me forcat serbe. I tillë ishte edhe heroi ynë kombëtar, Mentori, i cili së bashku me shokët e tij e poshtëroi Serbinë mu në qendër të Deçanit.
Edhe pas shumë vitesh, emri dhe legjenda e tij vazhdojnë t’i ujitin shpirtrat e brezave për liri, krenari dhe qëndresë, aty në zemër të qytetit.
DH







