Përgjimet Kusari-Simiq, Deliu: S’ka dert që Milani nuk është i pastër për Amerikë, me rëndësi për VV-në po

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar pasi Nacionale publikoi pjesën e dytë të përgjimeve të shefes së deputetëve të Vetëvendosje, Mimoza Kusari me Sllavko Simiqin e Listës Serbe.

Deliu përmes një shkrimi në Facebook ka ironizuar, duke thënë se “nuk ka dert që Milani nuk është i pastër për Amerikë, me rëndësi për Vetëvendosjen po”.

“Ani, çka po bajmë të mërkurën?” – ka shkruar tutje ajo.

Ndërkohë, gazetari Berat Buzhala ka treguar se si në këtë përgjim Sllavko Simiqi i thotë Kusarit se (sic) do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti dhe se kishte folur pesë herë me të dyshuarin për krime, Millan Radojiçiqin. Mimoza Kusari mbeti në heshtje. Ajo dje në një emision kishte thënë që kishte biseduar vetëm njëherë.

Në pjesën në vazhdim, me tone dashamirëse, Mimoza e VV-së me Sllavkon e Srpskas flasin edhe për gjëra tjera.

Aty është edhe një mesazh i Radojiçiqit të cilin ia lexon Simiqi znj. Kusari. Radojiçiqi i thotë Kusarit se PDK-ja i ka shkaktuar “më së shumti dëme në jetë” dhe se do të përballej me ta “sa të ishte gjallë”.

Dhe derisa Radojiçiqi po vazhdonte të ankohej para shefes së deputetëve të VV-së për trajtimin që po i bëhej nga shteti i Kosovës, në një moment ia thotë edhe kjo fjalë në mesazh:

“Ndoshta kam mundur unë që të publikoj komunikimin që kemi pasur unë e ti, drejtpërdrejt – kjo është ajo që të përfoli unë – por, jo, jam në rend të parë njeri që këtë nuk e bën e pastaj politikan që ju e keni nënçmuar shumë.” – shkruhet tutje në atë mesazh.

Kusari më pas interesohet se për çfarë arsyesh e kanë vënë në listë të zezë të Amerikës Radojiçiqin dhe se pse Lista Serbe nuk po ia shprehte shqetësimet ambasadorit amerikan.