Përgjimet e Kusarit me Simiqin: Mobilizohen veteranët, paralajmërohen veprime konkrete

Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, dega në Pejë ka reaguar lidhur me përgjimet e publikuara nga Gazeta Nacionale ku përfshihet shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që i flet deputetit të Listës Serbe Slavko Simiq për veteranët dhe akuzon kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj se ka fryrë listat e veteranëve.

Në reagimi e OVL e UÇK-së në Pejë thuhet se vazhdimisht kanë alarmuar opinionin publik “për orientimin antikombëtar të partisë në pushtet”.

Në reagimin e tyre, ata kanë akuzuar për tradhti Lëvizjen Vetëvendosje.

“Demaskimi i plotë i tyre, erdhi pikërisht në kohën kur ata po e rrezikojnë qenien e shtetit tonë, të themeluar e ndërtuar mbi gjakun e të rënëve, duke i humbur aleatët tonë të luftës e të paqes, e duke koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe, Beogradin dhe kriminelët e kërkuar nga drejtësia.”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së në Pejë.

OVL e UÇK-së në Pejë ka bërë të ditur se kanë nisur përgatitjet për kundërshtimin e këtij pushteti.

Ky është reagimi i plotë:

Vazhdimisht ne kemi alarmuar opinionin publik për orientimin antikombëtar të partisë në pushtet, orientim ky që është shfaqur edhe në kohën kur ishin në opozitë.
Në kohën kur ne protestonim në oborr të Kuvendit, partia në pushtet dhe partneri i saj i koalicionit, Lista Serbe, po bashkonin fuqitë, në dëm të luftëtarëve të lirisë.

Për Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së në Dukagjin, sjellje të tilla nuk ishin aspak befasuese. Ne nuk prisnim më mirë nga pushteti aktual. Por, përgjimet e fundit, vërtetojnë secilën deklaratë tonën. Ato dëshmojnë se deri ku zhytet në tradhëti Vetëvendosja, e cila për vite me radhë kishte mbajtur verbalisht, por jo me vepra, flamurin e patriotizmit.

Demaskimi i plotë i tyre, erdhi pikërisht në kohën kur ata po e rrezikojnë qenien e shtetit tonë, të themeluar e ndërtuar mbi gjakun e të rënëve, duke i humbur aleatët tonë të luftës e të paqes, e duke koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe, Beogradin dhe kriminelët e kërkuar nga drejtësia.

Këto veprime që u demaskuan si kurrë më parë, e që shpërfaqin fytyrën e vërtetë të pushtetit, le të shërbejnë si mësim për të gjithë ata që e donë Atdheun e që kanë rënë në grackën e mashtrimeve të tyre.
Është koha për bashkim dhe veprim, që të ruajmë frytet e Luftës Çlirimtare, të ruajmë raportet me aleatët strategjik, e ta ruajmë vet ekzistencën e shtetit tonë, i cili është në prag të shkatërrimit nga veprimet tradhëtare të pushtetit.

Me këtë rast, fillimisht presim që distancimi nga ky organizim tradhëtar të bëhet nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë radhitur me ta. Konsiderojmë se edhe një minut qëndrimi i tyre në organizëm të tillë, përveç se turp, është përdhosje e angazhimit të brezave për liri, shkelje e gjakut të dëshmorëve dhe tradhti e lartë ndaj Atdheut.
Në ndërkohë, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së në Dukagjin, kanë nisur përgatitjet për kundërshtimin e këtij pushteti që dirigjohet nga Beogradi, pasi që konsiderojmë se ata duhet të largohen sa më parë nga udhëheqja e vendit.