Përfundon rigjykimi për vrasjen dhe plagosjet e para 10 viteve në diskotekën “City Club” në Pejë

Ka përfunduar procesi i rigjykimit, të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit Granit Elshani, i cili nga Prokuroria Speciale akuzohet për vrasje, tri tentim vrasje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, Elshani nga Gjykata Themelore në Pejë, në maj 2018 , ishte dënuar me 25 vjet burgim, por që më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësja e të pandehurit, Granit Elshanit, avokatja Kosovare Kelmendi, në fjalën e saj përfundimtare ka theksuar se asnjë nga dëshmitarët okular të natës kritike në diskotekën “City Club”, nuk e kishte identifikuar të pandehurin Granit Elshani si personin i cili kishte shtënë me armë në natë 2 janarit të vitit 2010.

Sipas avokates, e vetmja dëshmi e cila e drejton gishtin nga i mbrojturi i saj, ishte dëshmia e të dëmtuarit Xhevdet Kelmendi, e cila dëshmi sipas mbrojtës kishte pësuar ndryshime disa herë.

Mbrojtja tha se i dëmtuari Xhevdet Kelmendi, 6 vite pas ngjarjes, kishte thënë se Granit Elshani kishte qenë personi që kishte shtënë me armë, të cilin deklaratë nuk e kishte thënë në polici dhe prokurori.

“Në prokurori, po ashtu në vitin 2010 mohon të ketë parë madje edhe njohur Granit Elshanin, përveç se fotografinë e tij e ka pa si polici. Ai nuk e identifikon Granit Elshanin fare si pjesëmarrës në ngjarjen e 2 janarit e lëremë si sulmues i asaj natë. Ai madje mohon në tërësi se mes familjes së tij dhe Granitit ka ekzistuar ndonjë konflikt. Ndërkaq, që në vitin 2016, pas dorëzimit të Granitit, ky dëshmitar ndryshon qasjen dhe deklaratat në tërësi. Ai madje edhe e identifikon si sulmues këtë të fundit”, tha avokatja Kelmendi duke cilësuar dëshminë e Xhevdetit si jokredibile dhe subjektive.

Kurse dëshmitari Kushtrim Hyseni,  të cilin i dëmtuari Kelmendi ishte referuar se e kishte ditur se kush ishte sulmuesi, sipas avokates, i njëjti kishte mohuar se kishte thënë se Granit Elshani kishte qenë sulmuesi.

Mbrojtja e Elshanit e konsideroi aktakuzën në kundërshtim me vetvete, pasi në njërën anë e ngarkon të pandehurin për vrasje nga hakmarrja kurse sipas mbrojtjes, po në aktakuzë, theksohet fakti se asnjë nga këto vrasje nga hakmarrja nuk janë zbuluar dhe kanë mbetur enigmatike.

Përshkrimin e aktakuzës së Prokurorisë se ngjarja e 2 janarit 2010 kishte ndodhur për hakmarrje pasi  babai i Granit Elshanit, Isuf Elshani ishte vrarë në vitin 2004 ndërsa, vëllai i tij Virgjil Elshani në vitin 2000 i pandehuri ishte plagosur në të njëjtin sulm, e kundërshtoi mbrojtja e të pandehurit.

Sipas avoktes Kelmendi, prokuroria e ka akuzuar të mbrojturin e saj për vrasje për hakmarrje për të cilat vrasje sipas mbrojtjes, prokuroria e kishte konstatuar se nuk ka as të akuzuar dhe të dënuar për këto vrasje.

“Kjo i bie se Granit Elshani nuk po ditka as emrin e dorës e cila i paska vra babain e vëllezërit. Kjo i bie që Granit Elshani nuk paska pasur as motiv të hakmerret ndaj personave inekzistent”, tha avokatja Kelmendi.

Për armën e gjetur nën jastëkun e Granit Elshanit pas kontrollit nga ana e Policisë, avokate Kosovare Kelmendi tha se me besueshmëri të lartë, arma e vërtetë e Granit Elshanit ishte ndërruar në natën kritike.

Kelmendi ndërrimin e armës së vërtetë e bazoi me faktin se gjatë kontrollit të shtëpisë ku gjendej Elshani, nuk kishte pasur urdhëresë nga ana e gjykatës për bastisje, nuk kishte pasur prezent krim teknik, kishte munguar fotografimi i armës dhe në bazë deklarimeve të hetuesve policor Shpend Berisha dhe Riza Maha të cilat sipas mbrojtjes lidhur me faktin e gjetjes dhe konfiskimit të armës, ia hedhin “pataten e nxehtë” njëri-tjetrit dhe si të tilla, sipas mbrojtjes janë prova e tilla janë të papranueshme.

“Sepse të gjitha këto, me pa mëdyshje dëshmojnë se, atë natë, respekvisht atë ditë vendi i ngjarjes është kontaminuar, provat janë manipuluar dhe me besueshmëri të lartë duke i ndërlidhur të gjitha këto fakte njëra me tjetrën, dërgojnë në një përfundim, se arma e Granit Elshanit atë natë është ndërruar”, tha avokatja Kelmendi.

Avokate Kelmendi pyeti sesi mund të bindet një vëzhgues objektiv se arma e gjetur nën jastëkun e Granit Elshanit, është arma e cila është dërguar për ekzaminim të forënzikës , kur konfiskimi i armës nuk është bërë në mënyrë ligjore.

Mbrojtja vëri në pah se numri serik i armës “Sig Sauer”  e cila ishte  ekzaminuar nga Forenzika nuk e kishte numrin e njëjtë indefitikues të paraqitur në zingjirin e provave dhe urdhëresën e prokurorisë.

“Në Prishtinë,  Ismet Feta e dërgon Sig Sauerin e tipit P226 me numër serik U421744, ndërkaq që në të gjitha dokumentet përcjellëse, përfshi edhe urdhëresën e prokurorit asokohe për ekzaminim, qëndron vetëm Sig Sauer 4421774”, tha avokatja Kelmendi.

Sipas avokates Kelmendi, eksperti Ilir Kukaj nuk është dashur ta ekzaminojë armën Sig Sauer P226, U421774 kur e njëjta nuk ishte përputhur me numrin serik të shënuar në urdhëresë dhe zinxhir të ruajtjes së provave.

“Përshkrimi sa më detaj i armës do të duhej të bëhej aq më tepër meqë nuk kanë ekzistuar fotografitë e armës me rastin e gjetjes. Baza për identifikimin e thellë të armës, është modeli, ndërkaq që numri serik është identifikimi bazë”, tha avokatja Kelmendi.

Në lidhje me ekspertizën e ekspertit të balistikës Ilir Kukaj, i cili kishte thënë se në ngjarjen kritike ishin përdorur 7 armë. 5 nga këto rezulton se i kanë takuar sulmuesit atë natë prej të cilave 4 armë i ka përdorë brenda “City Club”,  1 armë të tipit “Sig Sauer” është përdor jashtë diskotekës. Ndërsa arma e 6 i kishte takuar Xhevdet Kelmendit kurse e 7-ta policit Hasan Buqaj.

Lidhur më këtë fakt, avokatja Kelmendi tha se si kishte mundësi që këto 4 armë brenda diskotekës t’i ketë marrë me vete sulmuesi dhe të ik dhe jashtë diskotekës të përdorë vetëm armën “Sig Sauer”.

Mbrojtja shpjegoi se gjersa në natën kritike kishte ndodhur vrasja dhe plagosja në “City Club”, i akuzuari Granit Elshani kishte qenë mysafir tek halla e tij në fshatin Ramun me gjithë anëtarët e familjes së Tahir Hyseni.

Mbrojtja theksoi se edhe sikur të supozonte se Graniti ishte sulmuesi, do të ishte naive dhe jologjike të mos mënjanohej arma.

“A nuk do të vepronte kështu sulmuesi i vërtetë. Përse nga 5 armët sa kishte përdorë atë natë sulmuesi, për të cilin ja po themi se paska qenë Graniti, po përse ai të gjitha t’i ketë hedhur apo fshehur, ndërkaq po mbante me vete dhe mandej nën jastëk një armë të cilën po ashtu e kishte përdorur atë natë?”, pyeti avokatja Kelmendi.

Në fund avokatja Kelmendi kërkoi nga gjykata që të vendos të gjitha provat në peshoren e drejtësisë pasi sipas saj do të bindet se ka prova shfajësuese për të mbrojturin e saj, ndërsa në anën tjetër të peshores sipas avokates do të mbetet e vetmuar dëshmia e të dëmtuarit Xhevdet Kelmendit, e vitit 2016 e tutje dhe një armë e cila është ndërruar dhe montuar.

Në anën tjetër, prokurori special, Afrim Shefkiu, ka thënë se nga administrimi i provave materiale ishte konstatuar gjendja faktike se i akuzuari Granit Elshani kishte kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Sipas prokurorit Shefkiu, pas ngjarjes kritike me 3 tetor 2010, gjatë bastisjes së shtëpisë së Tahir Hysenit, në të cilin gjendej edhe i pandehuri Granit Elshani, nën jastëkun e shtratit të tij, në dhomën ku ishte fjetur i akuzuari, është gjetur një arma e zjarrtë.

Kjo armë, pas ekzaminimit balistik, ka rezultuar se ishte përdorur në natën kritike.

Kjo armë sipas prokurorit Shefiku ishte pistoletë e llojit “Sig Sauer”, model P226 kalibër 9×19 mm, me numër serik U421774 dhe ka rezultuar se gëzhojat e evidentuara me shenjën Ex2, Ex3 dhe Ex7 dhe një plumb  që është nxjerrë nga trupit i zyrtarit policor Hasan Buqaj janë të po të kësaj pistolete që  është gjetur në posedim të akuzuarit Granit Elshani.

“Mbrojtjen e të akuzuarit Granit Elshani se kinse në asnjë mënyrë nuk i ka kryer veprat penale që i vihen në barrë duke pretenduar se arma e cila është sekuestruar në natën kritike nuk ka qenë e llojit ‘Sig Sauer’, por e llojit ‘Bereta’, ngjyrë e zezë, e konsiderojmë jologjike, kontradiktore si dhe me vet deklaratën e tij të dhënë në polici me datën 3 janar 2010 si dhe dëshminë mbi sekuestrimin e armës së zjarrtë-pistoletës së llojit ‘Sig Sauer’, andaj edhe kjo mbrojtje si e tillë është e përqendruar në shmangie të përgjegjësisë penale”, tha prokurori special Shefkiu.

Prokurori Shefkiu deklaratat e dëshmitarëve Tahir Hyseni, Rukmane dhe Ilirjana Hyseni për krijimin e alibisë së të akuzuarit, sipas Prokurorit kishin ndryshuar në krahasim me dëshmitë e tyre të më hershme.

“Fillimisht në intervistën e parë Rukmane Hyseni ka deklaruar se në shtëpinë e tyre pasi që u kthyen nga shtëpia e prindërve të saj, rreth orës 22-23 kishte dëgjuar një automjet duke vozitur shpejtë e që Graniti arriti në shtëpinë e tyre, e që vërteton kohën kur i pandehuri iku me automjetin që ishte duke pritur”, tha prokurori Shefkiu.

Ndryshe, prokurori në fillim të fjalës përfundimtare bëri ndryshimin e pikës një dhe dy të aktakuzës ashtu që në dispozitivin një, në rreshtin e 6-të, pas fjalëve “ka nxjerrë dy armë”, ka shtuar “njëra me revole me ngjyrë të zezë dhe tjetra revole me ngjyrë të bronztë. Kurse në pikën dy të dispozitivit, në rreshtin e parë, janë konstatuar fjalët “Pistoletë e tipit Sig Sauer, model P226, kalibër 9×19 mm, me numër serik U421774  dhe të vazhdohet me ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve.

Prokurori Shefiku kërkoi nga Gjykata e Pejës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

I akuzuari Granit Elshani, në fjalën e tij përfundimtare tha se i vinte keq për të gjithë palët e dëmtuara për rastin që kishte ndodhur duke u betuar para trupit gjykues se nuk kishte të bënte me këtë punë.

“Mvjen keq çka ju ka ndodh atyne dhe tonve se unë e di qysh asht me hup anëtar të familjes. Edhe para juve ju betohem se nuk kam hak as hile në këtë punë. Ishalla ka drejtësi edhe për neve”, tha i akuzuari Elshani.

Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj caktoi shpalljen e aktgjykimit me 21 shtator 2020, duke filluar nga ora 15:00

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, me 30 maj 2019, ka shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohet për vrasje dhe tri tentim vrasje, për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Kurse, Apeli kishte anuluar aktgjykimin në fjalë duke  miratuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, për shkak se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të viti 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë  i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj.