Barnabas Varga

Përfundon Euro 2024 për Barnabas Varga

L’Equipe njoftoi sot (24 qershor), duke cituar mediat hungareze, se përfaqësuesi hungarez i futbollit Barnabas Varga, i cili u lëndua rëndë në Kampionatin Evropian në Gjermani, është operuar me sukses.

Në minutën e 70-të të ndeshjes ndërmjet Hungarisë dhe Skocisë (1-0), Varga u rrëzua në fushë dhe mbeti i palëvizshëm si pasojë e një dueli të ashpër me portierin rival, Gunn.

Gjatë duelit, Varga ka marrë një goditje të fortë në kokë dhe ka pësuar një frakturë të kockës së fytyrës në disa vende.

VIDEO

Ai u ndihmua shpejt dhe u transferua menjëherë në një spital në Shtutgart, ku iu nënshtrua një operacioni të hënën.

Operacioni ishte i suksesshëm dhe L’Equipe deklaroi se Varga mund të largohej nga spitali që të mërkurën.

Për Vargën ka përfunduar Evropiani, ndërsa kombëtarja e tij është në pritje të rezultatit të grupeve të tjera.

Hungaria zuri vendin e tretë në Grupin A me tri pikë dhe shpreson të jetë ndër katër kombëtaret më të mira të vendit të tretë që do të kalojnë në fazën e 16-të.

VIDEO

Varga, sulmuesi i Ferencvaros, ka luajtur 13 ndeshje për kombëtaren hungareze në karrierën e tij dhe ka shënuar shtatë gola.