Përfundon aksioni anti-drogë në Deçan e Gjakovë, konfiskohen 180 bimë marihuanë

Qysh në orët e hershme të mëngjesit njësitet policore të Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë kanë nisur një aksion anti-drogë në zonën e Dukagjinit. Deri më tani janë prangosur 7 persona, derisa aktualisht aksioni po vazhdon.

Kështu ka bërë të ditur përmes telefonit zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi i cili deklaroi se deri tani janë bastisur 10 lokacione nën dyshimin për narkotikë, me ç’rast janë sekuestruar edhe sasi të ndryshme të llojeve të drogave.

Niqki po ashtu u shpreh se aktualisht në një plantacion rreth 180 bimë të llojit kanabis janë duke u asgjësuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

“Në orët e hershme të mëngjesit me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës përkatësisht nga departamenti i krimeve të rënda, prokuror i shtetit është Ersan Qavolli që është bartës i këtij hetimi. Janë bastisur 10 lokacione nën dyshimin për narkotikë, me ç’rast janë sekuestruar sasi të ndryshme të llojeve të narkotikëve përfshirë kanabis dhe kokainë dhe prova të tjera materiale të cilat do të shërbjenë për ndriçimin e kësaj çështje penale. Aktualisht në një plantacion janë diku 180 bimë kanabis të cilat janë duke u asgjësuar nga njësitë relevante policore me urdhër të Prokurorit të Shtetit”, tha Nikqi.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Niqki tha se deri tani në pranga kanë përfunduar 7 persona, dhe se aksioni po vazhdon.

“Deri në këto momente janë të arrestuar 7 persona….Aksioni është duke vazhduar aktualisht jemi në një plantacion ku është bërë prerja e rreth 100 bimëve në një plantacion që dyshohet se janë të llojit kanabis dhe të njëjtat janë duke u asgjësuar nga njësit relevante policore”, theksoi ai.