Përfitoi mijëra euro me fajde, Gjykata e Ferizajt jep detaje për policin e dyshuar

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit K.K. zyrtar policor dhe të pandehurit F.R., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale fajdeja.

Ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.R. i dyshuar për veprën penale fajdeja dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri K.K. në muajin maj 2017 ka pranuar shuma jo proporcionale të parave, në këmbim për paratë e dhëna në shërbim duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të personit tjetër, në atë mënyrë që i ka dhënë 20.000 euro para F.M. me kamatë mujore prej 3 %, i cili ka paguar kamatë çdo muaj nga 600 deri në 800 euro, duke përfituar shumën totale prej 17.800 euro si dhe obligimin për të kthyer borxhin kryesor në shumë prej 20.000 euro, për çka është detyruar të marrë edhe një shumë tjetër prej 15.000 euro me kamatë nga një person i quajtur Xh. i cili jeton në shtetin e Norvegjisë, duke pësuar dëm pasuror mbi 30.000 euro.

I pandehuri F.R. dyshohet se në Ferizaj ka pranuar shuma jo proporcionale të parave, në këmbim për paratë e dhëna në shërbim, në atë mënyrë që në intervale kohore brenda vitit 2017-2018 i ka dhënë 22.000 euro para në shërbim të dëmtuarit F.M., duke përfituar dobi pasurore në shumë prej 24.300 euro, si dhe obligimin për të kthyer borxhin kryesor. Ndërsa gjatë vitit 2017-2018 dyshohet se ka pranuar shuma jo proporcionale të parave, në këmbim për paratë e dhëna në shërbim, në atë mënyrë që në disa raste i ka dhënë 7.000 euro para në shërbim të dëmtuarit A.N, duke përfituar dobi pasurore në shumë prej 3.500 euro, si dhe obligimin për të kthyer borxhin kryesor, duke përfituar mbi 27.800 euro.

Ndërsa i pandehuri B.R. dyshohet se në muajin prill të vitit 2018 në Ferizaj, ka pranuar shuma jo proporcionale të parave, në këmbim për paratë e dhëna në shërbim, në atë mënyrë që i ka dhënë 10.000 euro para në shërbim të dëmtuarit A.N., duke përfituar dobi pasurore në shumë prej 3.000 euro , si dhe obligimin për të kthyer borxhin kryesor”, thuhet në njoftimin e gjykatës.