Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, Shkelzen Sylaj, kanë pritur në takime të ndara përfaqësuesen e Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Norvegjisë, Annette Hurum, të shoqëruar edhe nga ambasadori i Norvegjisë i akredituar në Kosovë, Per Sjaastad.

Në takimin që kanë zhvilluar Berisha dhe Hurum kanë biseduar për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy ministrive, për rolin  e  Ministrisë së Mbrojtjes të Norvegjisë në përgatitjen dhe implementimin e Planit të Integritetit për MFSK-në, për procesin aktual nëpër  të cilin po kalon FSK-ja  si dhe për  planet e FSK-së në të ardhmen.

Komandanti i FSK-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, në takimet që zhvilluan me përfaqësuesit e shtetit norvegjez nga Ministria e Mbrojtjes dhe ambasada në Prishtinë, kryesisht biseduan për vazhdimin e projekteve të bashkëpunimit dhe thellimin e  bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Norvegjisë.