LAJMI I FUNDIT

Përfaqësuesit e Hamasit vizitojnë Moskën

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme së Rusisë, Maria Zakharova, ka bërë të ditur në konferencën e së enjtes se përfaqësuesit e Hamasit do ta vizitojnë Moskën, raporton agjencia “AP”.

Ajo nuk dha detaje të tjera, duke thënë se Ministria do të japë informacion shtesë më vonë.

Agjencia ruse e lajmeve, “RIA Novosti” ka njoftuar se delegacioni i Hamasit udhëhiqet nga një anëtar i krahut politik të grupit, Moussa Abu Marzouk.

Zakharova tha gjithashtu se 1 mijë qytetarë të Rusisë dhe CIS-it u kanë bërë thirrje autoriteteve ruse që t’i evakuojnë nga Gaza.

“Ne ndërveprojmë ngushtë me autoritetet izraelite, egjiptiane, palestineze dhe me organizatat ndërkombëtare përkatëse. Ne do të jemi gati të fillojmë menjëherë masat e evakuimit pas hapjes së pikës së kontrollit, Rafah, në kufirin e Rripit të Gazës me Egjiptin”, ka theksuar ajo.

Zakharova ka kritikuar Armeninë se iu drejtua Evropës për ndihmë në konfliktin Armeni-Azerbajxhan në vend të Rusisë.

Ajo ka akuzuar misionin e BE-së për “mbledhjen e të dhënave të inteligjencës kundër Rusisë dhe Iranit” dhe sugjeroi se Rusia është ende e gatshme t’i presë ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit “nëse ka vullnet politik në Jerevan”.

Duke folur për konfliktin në Ukrainë, Zakharova ka thënë se takimi në formatin e Kopenhagës i planifikuar në Maltë më 29 tetor, është “kundërproduktiv” dhe “absolutisht nuk ka perspektivë”. AP