Aleksandar Olenik, njëri nga dy përfaqësuesit e Koalicionit “Vojvodinasit”, nesër nuk do të marrë pjesë në konsultimet në Presidencën e Serbisë. Vetëm Tomislav Zhigmanov, kryetar i Bashkimit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë, do të marrë pjesë në bisedime.
“Menjëherë pas zgjedhjeve kam njoftuar se kushti im për çdo bisedë me Vuçiqin ishte vendosja e sanksioneve kundër Rusisë. Këto sanksione nuk janë vendosur ende, andaj nuk kemi çfarë të flasim”, tha kategorik Olenik.
Tomislav Zhigmanov, përfaqësuesi i dytë i koalicionit të Vojvodinës, është i gatshëm të diskutojë për shumicën e ardhshme parlamentare, gjegjësisht Qeverinë e re të Serbisë. Ai më herët ka deklaruar se DSHV-ja është një parti legaliste.
Zhigmanov nuk e fsheh faktin se në pesë vitet e fundit ka pasur bashkëpunim jo të rregullt, por mjaft të mirë me presidentin serb dhe se falë tij janë zgjidhur sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen kroatët në Republikën e Serbisë.
Kujtojmë se Zhigmanov paraprakisht i tha Danasit se është i interesuar të hyjë në qeveri, por se a do të jetë përfundimisht në pushtetin ekzekutiv varet nga profilizimi programor i vetë qeverisë dhe nga fakti nëse integrimi evropian është ende rruga e Serbisë.
Edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në konsultime në Presidencën serbe. /Ballkani.info/







