Perëndimi kundërshton Vulinin në krye të BIA-s: Ish-ministri është kukulla e Putinit në Serbi

Ish-ministri i policisë dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste, Aleksandar Vulin, nuk ka zënë vend në Qeverinë e re të Serbisë, por thuajse në të njëjtën kohë me lajmin se ai nuk do të jetë pjesë e kabinetit në “Nemanjina 11.” u shfaqen informacione se ai do të bëhej drejtori i ri i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA – agjencia serbe e inteligjencës).

Përfaqësuesit e Partisë Progresive Serbe (SNS – partia e Vuçiqit), një partner koalicioni i partisë së Vulinit, nuk pranuan të konfirmojnë këtë informacion, ndërsa përfaqësues të vendeve perëndimore po protestojnë hapur kundër idesë që një njeri i afërt me Moskën të bëhet kreu i BIA-s.

I pyetur se a është rezervuar vend për Vulin në BIA, ministri i sapozgjedhur i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i Serbisë, Millosh Vuçeviq, nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se për këtë çështje do të vendosë Qeveria. Nga ana tjetër, në këtë pozitë po llogarit edhe ish-ministri i policisë, duke pasur parasysh se në periudhën paraprake ishte shumë besnik ndaj liderit të progresistëve, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, pengesë që Vulin të bëhet kreu i BIA-s mund të jetë opozita e hapur e Perëndimit, në radhë të parë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilët ish-ministri i policisë nuk kishte asgjë të mirë për të thënë në të kaluarën. Përkundrazi, Vulin përdori pothuajse çdo mundësi për të dërguar shigjeta helmuese në Bruksel dhe Uashington, si dhe ndaj politikanëve vendas që perceptoheshin si properëndimorë.

Mirëpo, kjo nuk është e vetmja arsye që kryetari i Lëvizjes Socialiste është në rrëshqitje e sipër dhe për këtë arsye është e diskutueshme nëse ai do të marrë postin e dëshiruar. Perëndimi kundërshton emërimin e Vulin në postin e kreut të BIA-s për shkak të bashkëpunimit të tij me Kremlinin, i cili rezultoi në arrestimin e dy figurave të opozitës ruse.

Avokati Dimitrij Zahvatov, pjesëmarrës në seminarin e organizuar nga opozita ruse në Beograd në maj të vitit të kaluar, tha për Nova.rs se një nga arsyet e arrestimit të aktivistit dhe anëtarit të opozitës ruse Vladimir Kara-Murza ishte pikërisht ajo që Aleksandar Vulin dorëzoi transkriptet në Moskë të bisedave të përgjuara të opozitarit rus. Ai thekson se përveç Kara-Murzës, nga një aksion i përbashkët i shërbimeve të sigurisë serbe dhe ruse është arrestuar edhe Andrej Pivovarov, një tjetër kampion i opozitës dhe kundërshtar i regjimit të Vladimir Putinit.

Bashkëbisedues të shumtë të “Nova” theksuan se ky lloj aktiviteti mund të jetë problematik për sistemin e sigurisë së Serbisë, sepse kufizohet me aktivitete spiunazhi në dobi të shërbimit të sigurisë së një shteti tjetër. Këtë e ka vërejtur edhe Parlamenti Evropian, i cili në Rezolutën e fundit për Serbinë ka shprehur shqetësimin e tij për akuzat për përgjime nga opozita ruse në Beograd. /Ballkani.info/