Përdorimi i aspirinave për të parandaluar sëmundjet e zemrës nuk ka efekt

Nëse jeni një i rritur pa asnjë problem shëndetësor dhe po kërkoni mënyra për të zvogëluar rrezikun nga sëmundjet e zemrës dhe sulmet në zemër, aspirina nuk është zgjidhja.

Sipas Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë, aspirina nuk rekomandohet më nga doktorët për të parandaluar sëmundjet e lidhura me zemër. Kohëve të fundit janë zhvilluar metoda të reja për të parandaluar këto çrregullime të lidhura edhe me kolesterolin, diabetin dhe hipertensionin, prandaj aspirina nuk është më zgjidhja e duhur.

Doktorët thonë se aspirina mund të përdoret nga pacientët më të vjetër të cilat kanë probleme me sasinë e kolesterolit dhe sheqerit dhe në përgjithësi për të trajtuar problemet e koagulimit të gjakut.

Klinikat duhet të jenë shumë selektive në përshkrimin e aspirinës për pacientët të cilët nuk kanë shfaqur më parë ndonjë sëmundje kardiovaskulare. Është shumë më e rëndësishme që njerëzit të parandalojnë këto probleme duke e përmirësuar stilin e jetës, ushqimin, duke e përcjellë shtypjen e gjakut dhe sasinë e kolesterolit në gjak, shkruan CNN.

Përdorimi i aspirinës nga njerëzit në moshë të re dhe që nuk kanë një histori të sëmundjeve kardiovaskulare është një hap i gabuar, për arsye se aspirina vetëm mund ta rritë rrezikun e gjakderdhjeve të brendshme dhe në rastet më të rënda mund të shkaktojë vdekje të hershme.

Tri studimet e fundit gjetën se përdorimi i aspirinës nga njerëzit e shëndetshëm për të parandaluar sëmundjet e zemrës është vetëm një humbje e parave. Pacientët duhet të konsultohen me doktorë për të shmangur rreziqet që mund të shkaktojë përdorimi i aspirinës. Pasojat e tjera mund të jenë gjakderdhje në traktin gastrointestinal dhe anemi. Barnat e tjera siç janë barnat anti-inflamatore, steroidet dhe antikoagulantët gjithashtu mund të shkaktojnë rritje të rrezikut për gjakderdhje të brendshme.

Hulumtuesit thonë se njerëzit duhet të vetëdijesohen se mënyra e duhur për të parandaluar problemet e zemrës dhe në përgjithësi ato shëndetësore janë aktiviteti fizik, dhe përdorimi I ushqimit të shëndetshëm.