Për Vetëvendosjen, Nisma e papranueshme në Qeveri

Hyrja e koalicionit Nisma – AKR – PD në Kuvendin e Kosovës, ndonëse e ka zvogëluar numrin e deputetëve të LVV-së e të LDK-së për ta bërë Qeverinë, nuk mund ta pamundësojë krijimin e saj. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se pa Nismën dhe me komunitetet joserbe LVV-ja e LDK-ja do ta bëjnë Qeverinë, gjë e cila po konfirmohet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Zëri.

Hyrja e koalicionit Nisma – AKR – PD në Kuvendin e Kosovës e ka zbritur nga 61 në 57 numrin e deputetëve të dy partive politike, LVV e LDK, të cilat që nga zgjedhjet e 6 tetorit janë duke u përpjekur për krijimin e një koalicioni qeverisës. Ndonëse tashmë u duhen edhe 4 deputetë për ta bërë Qeverinë e ardhshme, dy partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë po theksojnë se nuk do ta kenë të vështirë ta krijojnë Qeverinë me komunitetet joserbe.

Një gjë e tillë e defaktorizon Nismën dhe rolin e saj në krijimin e Qeverisë së re. Sipas njohësve të çështjeve politike, LVV-ja dhe LDK-ja nuk do të varen nga deputetët e Nismës, të AKR-së e të PD-së për ta bërë Qeverinë, pasi atyre u mjaftojnë deputetët e komuniteteve joserbe. Mirëpo edhe nga komunitetet joserbe kanë nisur ta kushtëzojnë krijimin e Qeverisë së re me marrjen e ministrive, gjë që po konsiderohet kundërkushtetuese.