Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka kritikuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pasi ai javën që shkoi ndërpreu të enjten në mbrëmje një seancë parlamentare për të pamundësuar pjesëmarrjen e deputetëve serb nga Lista Serbe.
Hovenier e quajti veprimin e Konjufcës “për të ardhur keq”, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Më lejoni që të flas shumë shkurt për situatën në Kuvend javën e shkuar. Mendoj se ajo ishte për të ardhur keq. Në fund, askush nuk u duk mirë. Është për të ardhur keq nëse një seancë e Kuvendit pezullohet për atë që duket të jetë një përpjekje për të mos lejuar përfaqësuesit e zgjedhur të kryejnë funksionet e tyre.”, u shpreh Hovenier në Context të ATV-së.
Ai po ashtu kritikoi edhe deputetët e Listës Serbe.
“Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë për të ardhur keq që përfaqësuesit e zgjedhur që janë atje për të promovuar interesat dhe për të çuar përpara interesat e popullit të tyre, zgjedhin të mos i ushtrojnë ato të drejta. Ky nuk është gjithashtu premtimi i demokracisë që do të shpresonim të shihnim, sigurisht në kohën e Ahtisarit kur po negocionim dispozitat për vendet e caktuara për përfaqësuesit e pakicave në parlament. Shpresonim, prisnim që ata të përdornin kapacitetin e rolit të tyre si deputetë të Kuvendit për të trajtuar në mënyrë afirmative shqetësimet e komunitetit të tyre dhe për t’i avancuar ato. Kështu që e gjithë kjo gjë ishte për të ardhur keq.”, tha ambasadori Hovenier.
Kujtojmë që të enjten e javës që shkoi kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ndërpreu seancën parlamentare për të pamundësuar pjesëmarrjen e deputetëve serb nga Lista Serbe.
Deputetët serbë, u shfaqën në sallën e Kuvendit pas një mungese gati gjashtë mujore, por ata u penguan të ulën në ulëset e tyre nga deputet e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Kryetari i kuvendit Glauk Konjufca akuzoi nëntë deputetët e Listës Serbe për, siç tha ai, “provokim dhe keqpërdorim të parave të taksapaguesve duke u paraqitur vetëm një herë në gjashtë muaj”. Deri më tash, deputetët e Listës Serbe janë nënshkruar pa pengesa në seancat e kuvendit.







