Për shkak të takimit të 18 marsit në Ohër, KQZ e lëviz një datë që lidhet me zgjedhjet në veri

Vendimi i 8 shkurtit i KQZ-së për caktimin e afateve të aktiviteteve, është ndryshuar të enjten e javës së kaluar – nga 18 marsi, afati për aplikim për certifikim, është zgjatur deri më 22 mars. Ky vendim duket se e ka gëzuar të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak. Ai në një prononcim për portalin serb “Kossev” ka thënë se vendimi i KQZ për shtyrjen e afatit për paraqitjen e listave është vendim konstruktiv, pasi sipas tij  jep më shumë hapësirë që mbledhja e Ohrit të mos mbahet nën presionin e këtij afati.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 shkurt, miratoi aktivitetet dhe planin operacional për zgjedhjet e 23 prillit që pritet të mbahen në katër komunat në Veri. Sipas këtij vendimi, afati për të aplikuar për certifikim ishte deri më 18 mars.

Mirëpo, në mbledhjen e 9 marsit, KQZ mori vendim për shtyrjen e afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Në njoftim thuhet se kjo është bërë me qëllim që të ketë kohë më të gjatë për partitë që të aplikojnë për pjesëmarrje.

“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në këto zgjedhje është ndryshuar. Ky afat, sipas vendimit të ndryshuar të KQZ-së, do të përfundojë më 22 mars 2023 dhe u mor me qëllim të krijimit të një kohë më të gjatë në dispozicion të subjekteve politike për të aplikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Për këtë vendim të KQZ-së ka folur emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak. Ai tha se shtyrja e afatit jep më shumë hapësirë që mbledhja e Ohrit të mos mbahet nën presionin e këtij afati.

”Në këtë kontekst, vendimi i KQZ-së për shtyrjen e afatit për paraqitjen e listave është një vendim konstruktiv sepse na jep më shumë hapësirë dhe mundëson që mbledhja e Ohrit në datën 18 të mos mbahet nën presionin e këtij afati, por shpresojmë se do të ndihmojë. ne në një atmosferë krijuese që do të ishte e favorshme për gjetjen e një zgjidhjeje politike“, ka deklaruar Lajçak për “Kossev”.

Lajçak ka thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri duhet të ketë një zgjidhje politike.

“Data e zgjedhjeve është prerogativë e Presidentit të Kosovës dhe unë respektoj rolin kushtetues të presidentit për këtë çështje. E rëndësishme është që zgjedhjet të zhvillohen në një atmosferë ku të gjithë qytetarët mund të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur. Zgjedhjet do të reflektojnë edhe preferencat e qytetarëve. Prandaj na duhet edhe një zgjidhje politike”, është shprehur ai.

Kujtojmë që zgjedhjet në Veri u patën caktuar të mbahen më 18 dhjetor, mirëpo  për shkak të tensioneve atje, presidentja Osmani mori vendim për shtyrjen e tyre për 6 muaj.

Kushtet e serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje

Në dhjetor, kur edhe deklaruan se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që u patën caktuar për 18 dhjetor, Lista Serbe paraqiti kushtet e saj për të garuar në zgjedhje.

Ndërkaq, të enjten, ata deklaruan se përpos që nuk do të marrin pjesë në ato zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se nuk janë plotësuar kërkesat që i kanë shkaktuar largimin e tyre nga institucionet e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në asnjë zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat e tyre legjitime.

Kushtet e tyre ishin tërheqja e vendimit për targat dhe nisja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, kishte deklaruar Rakiq.

Çështja e targave është zgjidhur, derisa tash është vëmendja te asociacioni, për çka pritet të nënshkruhet në takimin e 18 marsit