Për shkak të rritjes së infektimeve me COVID-19, edhe një shkollë në Prishtinë kalon në mësim online

Rritja e numrit të nxënësve me coronavirus ka bërë që shkolla fillore ‘Faik Konica’ në Prishtinë prej nesër të kalojë në skenarin C, apo online.

Duke u bazuar në udhëzimet e IKSHPK-së, rekomandohet se nëse në numrin e përgjithshëm të nxënësve ka 5 për qind të infektuar, atëherë shkolla duhet të kalojë në skenarin C (online).

Dhe meqenëse është kaluar kjo përqindje, Telegrafi mëson se Task Forca e shkollës “Faik Konica” ka marrë vendim që shkolla ta zhvillojë procesin mësimor sipas skenarit C (online) nga data 20 janar deri më 29 janar 2022.

Pritet që edhe institucionet e tjera shkollore të veprojnë njëjtë.

Po ashtu mësohet se edhe në shkollën fillore “Meto Bajraktrari”, ka rritje të numrit të nxënësve me COVID-19.

Ndëkaq, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë, Komuna e Prishtinës për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës, që prej disa ditësh është duke bërë furnizimin me teste të shpejta antigjen përmes pështymës për COVID-19.

Këto teste po u bëhen vetëm nxënësve që kanë simptome si temperaturë, kollitje ose kanë pasur kontakte me dikë të prekur me COVID-19.

Sipas komunës, deri më tani testet antigjen janë shpërndarë nëpër tetë institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta, kryesisht me numër të madh të nxënësve në zonat urbane.

Në ditët në vijim mbetet të përfshihen edhe zonat periferike të kryeqytetit.

Është planifikuar që testet të shërbejnë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë.