BQK

Për pesë muaj, mërgimtarët dërguan mbi gjysmë miliardi euro në Kosovë

Nga janari e deri në maj të këtij viti, mërgimtarët kanë dërguar 513.99 milionë euro në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) të martën.

Vetëm gjatë majit, sipas të dhënave të BQK-së, mërgimtarët dërguan mbi 119 milionë euro.

Dërgesat e mërgimtarëve janë mbi 55 për qind përmes institucioneve financiare jobankare. Pasojnë kanalet tjera me 23.34 për qind dhe bankat me 14.98 për qind.

Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja ka bërë të ditur se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 318.62 milionë euro, “duke shënuar rritje prej 1.62 milionë euro krahasuar me muajin paraprak”.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.90 miliardë euro, “e dominuar nga Letrat me Vlerë të Kapitalit me 78.14% të gjithsej aseteve”.

BQK-ja ka thënë se asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të muajit maj 2024 janë rritur për 11.42 milionë euro, duke arritur vlerën e 583.67 milionë eurove.