Kosovë-Serbi

Për pak ditë Kosova vendos për “fatin” e Serbisë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani të martën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se brenda dy tri ditëve do të vendoset për çështjen e tarifës ndaj produkteve të Serbisë.

Osmani pas mbledhjes së Kryesisë në pyetjet e gazetarëve lidhur me tarifën tha se ekziston një marrëveshje e partive në qeveri lidhur me tarifën ndaj produkteve të Serbisë dhe lidhur me konkretizimin e kësaj marrëveshjeje këto dy-tri ditë të ketë një koordinim dhe do të vendosen hapat qoftë kohor ose përmbajtjesor lidhur me zbatimin e marrëveshjes për tarifën.

“Pra brenda pak ditësh do të jemi në gjendje… Por, siç kam potencuar këtë përgjigje nuk po e japi në emër të Kuvendit, por vetëm si partner i koalicionit qeverisës sepse kjo është çështje e qeverisë dhe e dy partive që janë në qeveri”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Gjatë një tryezë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi ka folur për çështjen e tarifës edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi.

Ai ka thënë se po e shqyrtojnë mundësinë që të heqin tarifën, ndërsa sipas tij, reciprociteti nuk do t’i pengojë bisedimet me Serbinë.

Gashi, shef i Grupit parlamentar të LDK-së, vlerësoi që tarifa është përdorur si mjet politik nga qeveria e kaluar dhe ka sjellë dëme politike për Kosovën në raport me bashkësinë ndërkombëtare

“Në të gjitha raportet ku Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk do ta njohë Serbinë”, ka thënë Gashi, referuar njoftimit të KDI-së.

Në terma konkret, sipas tij, reciprociteti do të zbatohet ndër të tjera lidhur me kodin ndërkombëtar tregtar, certifikatat e sigurisë ushqimore/fitosanitare, automjetet e transportit dhe arsimin. Ndërsa, lidhur me reciprocitetin politik në raport me lobimin e Serbisë, ai foli për garancat e plota të bashkësisë ndërkombëtare për ndaljen e kësaj fushate të Serbisë, pa përjashtuar veprimet tjera analoge që mund të ndërmerren.

Por, për dallim nga partitë në pushtet, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka bërë thirrje që të mos hiqet taksa 100% ndaj produkteve serbe.

Sipas tij, taksa ka pamundësuar pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.

Haradinaj, deklaroi që opozita do të jetë konstruktive dhe kujdestare e Kosovës së 17 shkurtit të 2008.

Ndërsa, në anën tjetër shtoi se “deri sa nuk ka njohje reciproke, nuk mund të ketë as funksionalizim të reciprocitetit”.

Haradinaj shtoi që taksa nuk e ka bllokuar dialogun, sepse i njëjti është duke vazhduar dhe janë arritur marrëveshje për autostradën, hekurudhat dhe linjën ajrore mes dy vendeve.

Haxhi Shala, shef i Grupit parlamentar NISMA-AKR, tha se vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë lidhur me taksën. Ai shtoi që është e paqartë se çfarë do të bëjë koalicioni qeverisës lidhur me bisedimet, si dhe çfarë nënkuptohet me reciprocitetin.

“Në bazë të deklaratave të ambasadorëve, edhe reciprociteti, njëjtë sikur taksa do të jetë bllokuese e procesit. Nëse nga një bojkot ndërkombëtar për shkak të taksës, po shkojmë tek një bojkot i dytë për shkak të reciprocitetit, atëherë pse të lëvizet nga taksa?” deklaroi ai.

Lidhur me qëndrimin për dialogun, Shala shtoi se ata do të jenë konstruktiv dhe kur të ketë platformë të qartë mbi atë se çka do të bëjë ekipi negociues, do të deklarohen se a e mbështesin këtë proces.