Për katër muaj, nëntë persona të vdekur nga lëndimet në punë

Brenda 4 muajve të vitit 2023, nëntë persona kanë vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e tyre të punës.

Mungesa e kushteve të duhura në punë, vazhdon të jetë problematikë për të punësuarit sidomos në sektorin e ndërtimtarisë.

Edhe eksperti për siguri në Punë, Arian Ibishi, thotë se njëra nga arsyet e lëndimeve të punëtorëve janë mjetet e punës.

“Gjithherë kemi nevojë për aparatura të reja se varet edhe lloji i aparaturës, te lëndimet që ndodhin”, tha Ibishi.

Në Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, u kërkua që të rritet numri i inspektorëve.

“Pjesa kryesore e këtyre rasteve është se vetë inspektorët nuk i kontrollojnë punishtet. Fakti kur punëtori humb jetën në ‘Bactering’ dhe inspektori i punës e ka dënuar kompaninë me 2 mijë euro, e kanë krahasuar jetën e punëtorit me shtazë. Realisht procedurat e ardhjes deri te raportet zyrtare të inspektoratit dhe raportet përfundimtare zgjasin 7-8 vite dhe prapë përgjigjet janë negative, atëherë drejtësia kalon në padrejtësi, kur vjetrohet lënda e humb vlerën”, tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për ATV.

Raportimi për mungesë të mjeteve mbrojtëse dhe për kushte jo të duhura në Inspektorat të Punës, sipas Azemit dhe Ibishit, mund të parandalojnë rastet me fatalitet në vend të punës.