Për katër ditë, “veturave inteligjente” të policisë identifikojnë mbi 70 mjete në trafik me regjistrim të skaduar

Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se brenda katër ditëve (26-30 qershor 2023), ka ndërmarrë masa konkrete përmes kontrollit të trafikut me vetura me pajisje inteligjente “smart patrol”.

Me këtë rast, thuhet se janë identifikuar 75 mjete në trafik me regjistrim të skaduar, ku përveç shqiptimit të gjobave të njëjtëve u janë marrë përkohësisht targat dhe janë larguar nga trafiku.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se 39 shoferë janë hasur duke drejtuar mjetin mbi normat e lejuara të kufizimit të shpejtësisë dhe janë shqiptuar 42 kundërvajtje në trafik.

“Apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të jenë më të përgjegjshëm ndaj vetes dhe të tjerëve me qëllim të zvogëlimit të aksidenteve dhe të kontribuojnë për një siguri më të madhe duke respektuar rregullat dhe kriteret ligjore për pjesëmarrje të sigurt në trafik”, thuhet në komunikatën për media.