Dhërmiu

Për britaniken Express, Dhërmiu është destinacioni më i bukur evropian për pushimet 2024

Shqipëria nuk është më një surprizë për udhëtarët evropianë, përfshi ata britanikë.

Plazhet e saj janë reklamuar tashmë nga mediat më prestigjioze botërore, të cilat i bëjnë jehonë një ndërthurjeje të çmimeve të ulëta me bukuritë e jashtëzakonshme natyrore që vendi ofron brenda një hapësire të vogël.

Mirëpo tashmë, britanikët po e marrin seriozisht edhe dhënien e çmimeve për plazhet shqiptare, ku sipas të përditshmes prestigjioze Express, Dhërmiu është destinacioni më i bukur evropian për të kaluar pushimet në vitin 2024.

Gazetarja Esther Marshall i ka kushtuar një artikull Dhërmiut.

Çfarë shkruhet aty?

Fshati i mrekullueshëm bregdetar, mund të jetë zgjidhja e përkryer për pushime të lira në vitin 2024.

Dhërmiu ndodhet në detin Jon dhe ofron plazhe spektakolare si dhe ambiente argëtuese të jetës së natës.

Riviera Shqiptare është një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, por mbetet ende një vend i përballueshëm për turistët britanikë që kërkojnë çmime të ulëta.

Ju mund te akomodoheni në hotele (me katër yje) në fshatin e bukur bregdetar për vetëm 50 paundë nata, në korrik.

Ndërsa Aeroporti i ri i Vlorës është ende në ndërtim e sipër, për momentin, turistët do të duhet të fluturojnë drejt Aeroportit të Tiranës për të arritur në Dhërmi.

Edhe pse duhen rreth tre orë e gjysmë për të vizituar Dhërmiun, ia vlen të sakrifikoni për këtë destinacion të jashtëzakonshëm.

Çfarë duhet të bëni në Dhërmi

Vija bregdetare e Dhërmiut është një nga më të vlerësuarat në “Tripadvisor”.

Dhërmiu ofron plazhe të mrekullueshme me guralecë, det të kaltër dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.

“Shpella e Piratëve” në Dhërmi është gjithashtu një nga atraksionet e saj kryesore, të cilën turistët mund ta eksplorojnë si pjesë e një turneu me varkë.

Fshati i vjetër i Dhërmiut, është një vend i mrekullueshëm për një shëtitje relaksuese.

Nëse jeni në kërkim të aventurave, mund të provoni të ecni në kanionin e Gjipesë, i cili zgjat rreth dy orë.

Çfarë duhet të hani në Dhërmi

Dhërmiu ka disa restorante fantastike që shërbejnë ushqime deti, ndërsa vegjetarianët do të gjejnë ushqime të freskëta vendase.

Turistët që marrin me qira një makinë ose zgjedhin transportin publik në Shqipëri mund të zgjasin pushimet e tyre për të eksploruar më shumë vendin.

Tirana është një nga vendpushimet më të lira të Evropës, me disa muze interesantë dhe bare koktejesh të përballueshme.