Serbi

Për 24 orë, dy të vdekur e 114 raste të reja me COVID-19 në Serbi

Për 24 orët e fundit, Serbia ka regjistruar 114 raste të reja me koronavirus, ndërsa dy persona kanë vdekur, ka kumtuar ministria serbe e shëndetësisë.

Të hospitalizuar aktualisht në Serbi janë 764 pacientë, ndërsa 18 prej tyre janë në respiratorë.

Në 24 orët e fundit janë testuar mostrat e 6.526 personave, prej të cilëve 114 dolën pozitivë.

Deri të dielën mbrëma janë regjistruar gjithsej 10.610 raste të konfirmuara të COVID-19, derisa gjithsej janë testuar 181.272 persona të cilët i kanë plotësuar kriteret e definimit të rastit.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Serbi nga kjo pandemi është 230, ndërsa numri i serbëve të shëruar është 4.713.