Vetëm disa muaj pasi e refuzoi kalimin te gjigantët katalanas, Antoine Griezmann duket se ka ndryshuar mendje.

Ai do ta rishikonte pozicionin, sipas asaj që shkruan sot “Mundo Deportivo”, për t’u larguar nga Atletico Madridi dhe shkuar te Blaugranat.

Verën e kaluar, francezi ishte objektivi i madh i Barcelonës, por në fund, ai vendosi të rinovojë kontratën me “Colchoneros”, i shtyrë nga mundësia e luajtjes së finales së Ligës së Kampionëve në “Wanda Metropolitano”.

Eliminimi që në 1/8 finale të garës madhore kontinentale për klubet, ndaj Juventusit, dhe një sezon deri më tani zhgënjyes me Atletico Madridin, i ka ndryshuar kartat në tryezë. Zhgënjimi i francezit është aq i madh, sa do të donte të largohej nga Madridi.

Griezmann duket i lodhur nga loja shumë mbrojtëse e trajnerit Simeone dhe do të dëshironte të bëhej pjesë e futbollit të bukur dhe ofensiv të Barcelonës.

Pretendimet maksimale të Atletico Madridit në të vërtetë duket se do të mbeten në letër, pasi për pak muaj, kjo skuadër do t’i lërë të lirë dy nga yjet e vet: Godin (i destinuar për Interin) dhe Lucas Hernandez. Flitet, gjithashtu, se edhe Diego Costa mund të pranojë ofertat e majme financiare nga Kina.

Nga ana e saj, Barcelona është ende në kërkim të një sulmuesi për t’u bashkuar me Luis Suarez dhe ka pëlqyer gjithmonë Griezmann. Shkurtimisht, vera premton të jetë edhe njëherë e nxehtë në aksin Barcelona-Atletico Madrid.