​Peleshi: Ndërhyrja e trupave tanë ka mundësuar reduktimin e zjarrit në Dadia

Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka thënë se ndërhyrja e ekipeve që i kanë dërguar në Greqi, ka mundësuar reduktimin e zjarrit mbi fshatin Dadia.

Ai ka falënderuar Forcat e Armatosura, Emergjencave Civile dhe forcat e zjarrfikësve të bashkive të Korçës dhe Maliqit, të cilat janë angazhuar për 11 ditë në operacionet e shuarjes së zjarreve në Greqi.

“Ndërhyrja e djeshme e trupave tanë mbi fshatin Dadia, ka mundësuar reduktimin e zjarrit, eliminimin e rrezikut të banesave dhe shpëtimin e një ferme nga zjarri, ndërkohë vazhdon puna me intensitet për vënien në kontroll dhe shuarjen e të tjera vatrave”, ka shkruar Peleshi.

Shqipëria ka dërguar në Greqi 49 efektivë zjarrfikës, pesë mjete zjarrfikëse dhe katër mbështetëse nga Forcat e Armatosura dhe bashkitë ndërkufitare të Korçës dhe Maliqit.

Greqia po përballët me zjarr të madh derisa mediat kanë bërë të ditur se mbi 70 mijë hektarë janë djegur në verilindje, 13 mijë prej tyre vetëm në pakun kombëtar Dadia.