Ikona braziliane, Pele mendon se sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe mund të bëhet futbollisti më i mirë i gjeneratës së vet, mirëpo beson se ai ende duhet të përmirësohet.
Pele e kishte cilësuar më parë Mbappen si “Pele i ri”, ndërsa tani ai ka shtuar se Mbappe ka ende shumë gjëra për të mësuar për ta arritur potencialin e tij.
Pele beson se Mbappe i ka të gjithë cilësitë për të qenë lojtari më i mirë i gjeneratës së vet, mirëpo beson se sulmuesi i Paris Saint-Germainin duhet të përmirësohet në aspektin fizik.
“Ai nuk është ende mbreti. Ai po i kalon disa teste për t’u bërë mbreti. Ka ende shumë hapa para vetes. Ai është i ri dhe sapo ka filluar. Në futboll, nuk mund të dish gjithçka. Ke gjithmonë diçka që mund të mësosh”, ka thënë Pele.
“Ai mund t’i përmirësojë lëvizjet e tij. Nëse mund ta këshilloj atë, i them se duhet të kujdeset për trupin e tij dhe për veten. Ai e ka teknikën, por aspekti fizik është gjëja më e rëndësishme për një atlet sot”.
“Çfarë i mungon atij? Jo shumë. Ndoshta goditjet me kokë, impulsi dhe kërcimet. Ky është dallimi mes nesh sepse unë kisha shumë vrull, kërceja shumë lart dhe shënoja shumë gola me kokë”.
“Ai nuk ka nevojë të largohet nga PSG-ja. Ai duhet të vazhdojë të luajë në të njëjtën mënyrë sepse do të bëhet më i miri në botë. Kjo është e rëndësishme. Nëse duhet të bëjmë krahasime me Pelen. Pele nuk u largua kurrë nga Santosi për t’u bërë më i miri në botë”.
Si Pele, Mbappe e ka fituar titullin e Kupës së Botës si adoleshent. Braziliani e ngriti këtë trofe në moshën 17-vjeçare, ndërsa Mbappe si 19-vjeçar. Pele e ngriti këtë trofe edhe dy herë të tjerë, duke u bërë futbollisti i vetëm në histori që ka triumfuar tri herë në Botëror.
Mbappe është në rrugë të ngjashme me brazilianin, pasi i shënoi katër gola në Botërorin e Rusisë dhe u shpall lojtari më i mirë i ri në këtë garë. Gjithashtu, ai pritet ta fitojë titullin e Ligue 1 për herë të tretë radhazi.
Pasi i shënoi 13 gola në 27 ndeshje sezonin e kaluar, Mbappe veçse e ka dyfishuar këtë shifër duke i shënuar 27 në 24 ndeshjet e këtij sezoni, të cilat i ndihmuan PSG-së të jetë në pozitën e parë në tabelën e Ligue 1, me 20 pikë më shumë se klubi në pozitën e dytë.







