“Pedofili në rrjete sociale”: Arrestohet personi në Prishtinë që ngacmonte seksualisht fëmijët

Pas disa muajve është arrestuar personi i cili ngacmonte seksualisht fëmijët përmes rrjeteve sociale.

I dyshuari që ngacmonte seksualisht fëmijët është arrestuar dje nga Policia e Kosovës dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Policia ka kontrolluar një lokacion ku vepronte ky i dyshuar dhe i ka sekuestruar si prova materiale një llaptop dhe një telefon mobil.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti përmes rrjeteve sociale ka ngacmuar seksualisht disa fëmijë. Lidhur me rastin është kontrolluar një lokacion dhe ne cilësi të provave janë sekuestruar një kompjuter llaptop si dhe një telefon mobil. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndryshe, edhe më herët kanë qarkulluar zëra në rrjete sociale ku është raportuar se një person po ngacmon fëmijët seksualisht përmes rrjeteve sociale.