Peci: Vuçiq po e shtyn përpara projektin e “Botës Serbe”

Ish ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, ka thënë se Perëndimi duhet të reagojë ndaj projektit të “Botës Serbe”, të cilin po e shtyn përpara presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “mbyllja e syve të Perëndimit para ‘Botës Serbe’ që me vrull po e shtyn përpara Vuçiqi, me Malin e Zi, Kosovën dhe tani edhe me thellimin e krizës në Bosnje dhe Hercegovinë, është paralojë e konflikteve të armatosura të reja për krijimin e Serbisë së Madhe, pas më se dy dekadave të dështimit të këtij projekti nga Millosheviqi”.

“Nëse nuk ndalet tani Serbia, Perëndimi, në vend të integrimit të Ballkanit Perëndimor, do të detyrohet edhe një herë të mendoj për opcione ushtarake”, ka shkruar Peci, transmeton Telegrafi.

“Historia nuk përsëritet përherë, pasi njerëzimi do të kthehej vazhdimisht në pikën zero, mirëpo tani për tani jemi në rrugë që kjo të bëhet në Ballkan”, ka shkruar Peci.