Lulzim Peci

​Peci: Serbia do të provokojë Kosovën deri në marrjen e vendimit për pranimin e Kosovës nga KiE

Ish-ambasadori njëherit drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka thënë se nuk duhet të ketë dilema se Serbia do të bëjë çfarëdo që mundet në periudhën deri në marrjen e vendimit për pranimin e Kosovës nga Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës për të provokuar Qeverinë e Kosovës.

“Për këtë arsye, maturia dhe bashkëpunimi i ngushtë me vendet kyçe të perëndimit është ilaçi më i mirë ndaj kësaj qasje të Beogradit, i cili nuk po mundet të kthjellet nga disfata në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Përndryshe, përpos OSBE dhe Kombeve te Bashkuara, te gjitha institucionet e tjera janë të hapura për Kosovën, pasi në ato Serbia dhe Rusia, ose nuk kanë të drejtë të vetos apo nuk janë anëtare”, ka shkruar Peci në Facebook.

Sipas tij, edhepse Serbia në mënyrë brutale është duke e shkelur marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, ‘ajo është duke u zbatuar nga perëndimi, dhe për këtë Beogradi mundet vetëm t’i bie fyellit’.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje partnerëve të veprojnë “shpejt”, ndërsa tha se përgjegjës për këtë është “vetëm një njeri: [presidenti serb Aleksandar] Vuçiq”.

“Serbia po u hakmerret qytetarëve kosovarë, një ditë pas votimit në PACE, duke i mbajtur peng shumë [qytetarë] në pikëkalime, duke i frikësuar, duke ua konfiskuar dokumentet dhe duke ua mohuar ushqimin”, shkroi ajo në X, duke iu referuar rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të martën që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e kësaj organizate.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u kërkuan qytetarëve që të mos kalojnë përmes Serbisë “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

VIDEO BONUS: