Peci raporton në Komision, sqaron situatën me subvencione, kontratat e noterizuara dhe transparencën në Bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka raportuar sot para Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për MBPZHR-në të vitit 2020.

Para anëtarëve të Komisionit, ministri Peci ka sqaruar situatën e pagesave të subvencioneve, programin e ri të pagesave direkte për vitin 2021 dhe rekomandimet e auditorit.

Ministri ka thënë se të gjitha vërejtjet e auditorit janë adresuar për 6 muaj.

“Sot raportova para Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për MBPZHR-në të vitit 2020.
E kam marrë me seriozitet të shtuar këtë raport si dhe i kam adresuar të gjitha rekomandimet e dala prej tij për vetëm 6 muaj ku përfshihen: raportimi i saktë dhe i drejtë i pasurisë, zbatimi i procedurave të kontrollit të brendshëm për verifikimin dhe plotësimin e të dhënave për obligimet e papaguar ku me c’rast kam themeluar Task Forcën për Verifikimin e Lëndëve.
Nga ana tjetër me Programin e Pagesave Direkte për vitin 2021, kemi siguruar së pari planifikimin dhe zotimin e mjeteve financiare duke evituar borxhet sic ka ndodhur rëndom viteve të kaluara. Krahas kësaj gjatë hartimit të këtij programi, kam kërkuar që të përcaktohen kritere të sakta për aplikim në mënyrë që përkrahja financiare për fermerë të jetë në përputhje me buxhetin e aprovuar vjetor.
Në Programin e Ri për vitin 2021, si kriter kemi vendosur që kontratat të jenë të noterizuara në sipërfaqe mbi 10ha duke e lënë të hapur mundësinë e aplikimit pa kontratë në noterizuar për sipërfaqe nën 10ha. Ndërsa për të gjithë ata që e dëshmojnë linjën e gjakut, nuk kemi kërkuar kontratë e kjo është bërë duke pasur parasysh problemet pronësore të cilat ekzistojnë tek ne.
Rekomandimet e tjera të Auditorit i kam adresuar edhe në institucionet të cilat funksionojnë në kuadër të MBPZHR-së sic janë Instituti Bujqësor i Kosovës, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencia Pyjore e Kosovës.
Kemi bërë dhe do të bëjmë shumë më shumë për ta luftuar korrupsionin, ekonominë informale dhe plotësimin e kushteve dhe kritereve IPARD në mënyrë që bujqësia të shndërrohet në një sektor të qëndrueshëm e kontribues kryesor për zhvillim ekonomik të vendit” shkruan Peci në njoftim.