Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci tha se ka informata që një qeveri e opozitës nuk do t’i ketë numrat për formimin e një qeverie eventuale.

Peci, duke folur në RTK Prime të martën, tha se ka informata që deputetja Marigona Geci dhe disa të tjerë janë kundër opsionit të qeverisë së opozitës.

“Nuk është vetëm deputetja Geci, por ka edhe të tjerë që në një variant të tillë nuk e votojnë një qeveri të opozitës”, tha ai në RTK.

Ai tha se askush nga partitë shqiptare nuk duhet dhe “nuk mund të bëjë qeveri me Listën Serbe”.

“Le te bëjnë një qeveri të opozitës, jo me Listën Serbe. Qeveri me Listën Serbe që e kanë vrarë Afrim Bunjakun nuk bëhet, nuk mund të bëhet në këto rrethana, me një formacion politik e kriminal”, tha ai.

“Unë s’po kam dyshime, por po them që nëse dikush e kalkulon këtë opsion, mesazhi është i qartë”, vazhdoi ai.

Peci tha se opsioni i vetëm i drejtë është që “qeverinë me e bë Albin Kurti me një shumicë shqiptare”.