Stuart Peach

Peach: Dialogu të vazhdojë, Kosova e Serbia duhet t’i respektojnë marrëveshjet

Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, raporteve mes dy vendeve, dhe deklaratave të fundit për rrezikun e luftës.

“I bëjmë thirrje të dyja palëve të respektojnë marrëveshjet që tashmë janë përfunduar dhe të ecin drejt normalizimit dhe të ardhmes multietnike”, tha i dërguari i Britanisë së Madhe.

Peach thotë se vendi i tij mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të gjitha përpjekjet për normalizim dhe pajtim.

“Është një çështje e rëndësishme në rajon. Ne nuk jemi pjesë e dialogut të BE-së, por e mbështesim atë dhe gjithashtu i mbështesim të dyja qeveritë që të punojnë së bashku – të punojnë së bashku për të ardhmen multietnike të Kosovës dhe Serbisë”, shton ai.

I pyetur për vetë procesin e dialogut, ai thekson se më e rëndësishmja është që procesi të vazhdojë, pra të mos jetë pezulluar.

“Dialogu vazhdon dhe ne duhet të mundësojmë që procesi të vazhdojë dhe ta inkurajojmë atë. Nga ana tjetër, duhet të mirëpresim dhe festojmë hapat e vegjël që janë hedhur, gjë që është shumë e rëndësishme për qytetarët. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të respektojnë marrëveshjet që tashmë janë lidhur dhe të ecin drejt normalizimit. E ardhmja multietnike është e rëndësishme. E di që e kam thënë edhe më parë, por është një pjesë e rëndësishme e së ardhmes së rajonit”, tha Peach.

E i pyetur se çfarë pritshmërish ka nga Kurti dhe Vuçiq, Peach tha se i njeh shumë mirë të dy.

“I inkurajoj ata të ulen së bashku kur është e përshtatshme për ta bërë këtë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje më të mirë për të dy vendet.”

Kur është fjala për formimin e Asociacionit, Peach thekson se Britania e Madhe e ka njohur Kosovën dhe se vazhdon ta inkurajojë atë që të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare.

Ai foli për rrezikun e një tjetër sulmi në Kosovë.

“Nuk kam frikë, do t’i ftoja të gjithë të kujtojnë se në përputhje me Rezolutën e OKB-së, Kosova mbrohet nga KFOR-i ku Britania e Madhe luan një rol thelbësor”.

Lidhur me arrestimin e Radoiçiqit, ai tha se nuk duhet të pengohen hetimet, dhe të gjithë personat të mbahen përgjegjës.

VIDEO BONUS: