PE ‘shuplakë’ Serbisë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë: Të ndërpriten negociatat për anëtarësim në BE

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe në pjesën e atij dokumenti që i referohet Serbisë, thuhet se Beogradi duhet të harmonizohet me politikën e jashtme të Bashkimit.

Nga 632 deputetë, 357 votuan për rezolutën, 180 ishin kundër dhe 95 abstenuan.

Në raport, PE kërkon zyrtarisht për herë të dytë BE-në të ndalojë progresin e negociatave me Serbinë derisa të përmbushë disa kërkesa kyçe, ndër të cilat më e rëndësishmja është harmonizimi i plotë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Serbisë me atë të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

PE thekson rëndësinë e harmonizimit të plotë veçanërisht me politikën e sanksioneve ndaj vendeve të treta. PE shpreh keqardhje për nivelin vazhdimisht të ulët të përputhshmërisë së Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në lidhje me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

PE thekson se kapitujt e mëtejshëm të negociatave duhet të hapen vetëm kur Serbia të forcojë angazhimin e saj ndaj reformave në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe të tregojë se është plotësisht në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Në raport, PE kujton se Serbia, si një vend që përpiqet për integrim evropian, duhet t’u përmbahet vlerave të përbashkëta dhe të respektojë të drejtat e Bashkimit.