PDK: Vendimi i qeverisë së shkarkuar Kurti për Telekomin është anti-kushtetues dhe kundër sektorit privat

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas vendimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka quajtur anti-kushtetues vendimin e kryeministrit Albin Kurti për Telekomin e Kosovës.

Përmes një reagimi publik, PDK-ja thotë se ky vendim është edhe kundër sektorit privat dhe se kryeministri në detyrë, Albin Kurti po vepron kundër Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Pas një varg shkeljesh kushtetuese e ligjore, ajo aprovoi edhe një vendim anti-kushtetues e ligjor, duke përjashtuar shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik. Me këtë vendim skandaloz,  ajo ka bërë një varg shkeljesh dhe ka goditur rëndë vlerat elementare të një shoqërie demokratike, duke sulmuar drejtpërdrejtë sektorin privat dhe konkurrencën e lirë”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e PDK-së.

Reagimi i plotë i PDK-së, pa ndërhyrje:

Partia Demokratike e Kosovës dënon veprimet e dëmshme të qeverisë së vetë-shkarkuar Kurti në raport me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Pas një varg shkeljesh kushtetuese e ligjore, ajo aprovoi edhe një vendim anti-kushtetues e ligjor, duke përjashtuar shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik. Me këtë vendim skandaloz,  ajo ka bërë një varg shkeljesh dhe ka goditur rëndë vlerat elementare të një shoqërie demokratike, duke sulmuar drejtpërdrejtë sektorin privat dhe konkurrencën e lirë.

Ky akt gjithashtu përbën një kthim prapa drejt një modeli të ekonomisë shtetërore të centralizuar komuniste që gjatë shekullit të kaluar dështoi kudo ku është aplikuar në 85 vende dhe në pesë kontinente. Kosova është përcaktuar, edhe në Kushtetutë, për të ndërtuar një ekonomi liberale, bazuar mbi iniciativën e pronën private, mbi tregtinë e lirë e sundimin e ligjit.

Po ashtu, ky vendim është në kundërshtim me përcaktimin që ka zgjedhur Kosova për tu integruar në familjen evropiane dhe fyrmën mbështetëse të popullit të Kosovës si ndër më pro-evropianët. Integrimi evropian kërkon mes të tjerave përmbushjen e kriterit ekonomik, që nënkupton ndërtimin e një ekonomie tregu funksionale që ka aftësi për ndërvepruar me presionet e konkurrencës së tregut të brendshëm të BE-së.

Partia Demokratike e Kosovës, gjykon se vendimi i qeverisë është i papranueshëm, i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen e demokracisë dhe ekonomisë së vendit tonë si dhe për procesin e integrimit Evropian.

Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha organeve kompetente të shtetit tonë, që ta rrëzojnë këtë vendim duke angazhuar të gjitha mekanizmat juridikë mbi të cilët garantohen vlerat kushtetuese, demokratike dhe ekonomike të shtetit tonë.

Po ashtu i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe ambasadave të vendeve partnere që ta denoncojnë këtë vendim të dhe bëjnë presion për anulimin e tij.

Së fundmi, i bëjmë thirrje edhe shoqërisë civile e mbarë opinionit publik që të ngrejë zërin kundër veprimeve arbitrare të vazhdueshme të kësaj qeverie të shkarkuar e cila po e shndërron në traditë të pandalshme shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.