Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu ka thënë se Qeveria në largim gaboi kur pranoi donacion nga Serbia, duke pranuar kështu sipas saj ‘lëmoshë prej 30 mijë eurosh’.
Në një konferencë për media, Deliu ka thënë se sjelljet e Qeverisë ndaj Serbisë, ia mundësuan këtij vendi të dalë në mediat më të njohura në botë, për të mirë.
“Kulmi i kësaj sjellje inferiore përkundrejt Serbisë, erdhi me pranimin e 1000 testeve donacion nga ky vend, duke ia mundësuar Serbisë që të dalë në mediet më prestigjioze të botës si faktor konstruktiv humanitar.

Ndër të tjera ajo ka thënë se testet u futën në Kosovë në mënyrë ilegalie, me tabela diplomatike.
“Këto teste erdhën ilegalisht me një makinë me tabela diplomatike nga përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviceviq. Fatkeqësisht, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi as që ka qenë e informuar dhe në dijeni për këtë rast”, ka thënë Deliu.
Kujtojmë se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se Serbia ka bërë gjest të mirë me dhurimin e këtyre testeve dhe se ato nuk do t’u bëhen vetëm serbëve në Kosovë.







