Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lipjan ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan, keqpërdorimeve flagrante të pozitës zyrtare nga disa drejtorë të Ekzekutivit Komunal.

Sipas PDK-së, zyrtarë të komunës, në bashkëpunim me kandidatë për Kuvendin Komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë nisur të kontaktojnë qytetarë në fshatrat Kraishte, Ribar i Madh dhe zona të tjera, duke i mashtruar se gjoja kanë përfituar subvencione komunale në këmbim të votës për LDK dhe kandidatët e saj.

“Ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit për zgjedhjet dhe është një keqpërdorim i pastër i pushtetit lokal për përfitime politike në kohë fushate,” thuhet në reagimin e PDK-së, e cila e konsideron këtë praktikë manipulim dhe shantazh elektoral që dëmton integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në institucione.

PDK i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organeve të drejtësisë që menjëherë të nisin hetimet dhe të ndërmarrin masa ndaj përgjegjësve, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në fund, kjo parti u ka bërë apel qytetarëve të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të raportojnë çdo tentim për keqpërdorim të funksioneve publike për qëllime elektorale.

PDK thekson se mbetet e vendosur për të mbrojtur vullnetin e lirë të qytetarëve dhe procesin demokratik në Komunën e Lipjanit.