PDK: Kusari – Lila i kërkoi Konjufcës që ta ndërprejë seancën pasi deputetët deshën të votojnë për Trustin

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në konferencë për media pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit pikërisht në momentin kur pritej që të hidhej në votim projektligji që lejon tërheqjen e një pjesë të parave nga Trusti Pensional.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu kanë thënë se Qeveria po u bën presion deputetëve mos ta votojnë këtë projektligj, raporton Demokracia.com.

Tahiri ka thënë se LVV ka përkushtim të madh që kjo iniciativë që u lejon gati 70 mijë qytetarëve të tërheqin paratë, të mos kalojë.

“Ju e dini që tashmë një kohë të gjatë iniciativa për Trustin ka filluar nga PDK, nga Bekim Haxhiu. Një iniciativë e cila realisht ka qenë më shumë një artikulim i kërkesave të qytetarëve të Kosovës. Me javë të tëra kemi parë arsye dhe forma si është penguar, për me ardhë deri te diskutimi e votimi i kësaj pike. Sot në mënyrë arbitrare u ndërpre seanca, pikërisht kur ishim te pika e votimit të Trustit, në mënyrë të paprecedentë ndërpritet seanca dhe se do të vazhdojë nesër…Ishin prezentë rreth 80 deputetë, nuk kishte aryse që të mos vazhdojë, kur erdhëm te çështja e Trustit, seanca u ndërpre. Do të vazhdojë nesër, nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër. Të kishim parë LVV-në në qeverisjen e vendit me kaq përushtim si po e pengon këtë ligj, këta kanë përkushtim shumë të madh që kjo iniciativë ligjore që iu mundëson rreth 69 mijë qytetarëve tërheqjen e parave, sikur të kishin pasë kaq përkushtim në qeverisjen e vendit, nuk do të vinte puna që të bëhet kërkesa për tërheqjen e kursimeve”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, Bekim haxhiu deklaroi se ka presion të madh nga Qeveria që të mos votohet projektligji, ani pse deputetët kanë optimizëm që ta kalojnë të njëjtin, raporton Demokracia.com.

“Ashtu siç janë qytetarët të zhgënjyer me sjelljen e kryetarit Konjufca, që papritmas e ndërpren seancën e Kuvendit, në një pikë që qytetarët e prisnin pa durim. Kriza ekonomike po bëhet çdo ditë e padurueshme, ndërsa qytetarët po kërkojnë tërheqjen e parave nga Trusti. Sot kishte optimizëm në Kuvend për ta votuar projektligjin, kemi biseduar me të gjitha partitë politike dhe kryetari i Kuvendit me deputetë të mazhorancës iu nënshtruan presionit të Qeverisë, me presion të Mimoza Kusari – Lilës, e cila shkoi te kryetari i Kuvendit dhe kërkoi të ndërpritet seanca. Të gjithë deputetët që i kemi kontaktuar kanë pranuar se janë në presion nga qeveria që të votojnë kundër tërheqjes së Trustit. E kemi ftuar ehde mazhorancën që ta votojë këtë kërkesë të qytetarëve, atë të drejtë që e kanë shfrytëzu disa prej deputetëve të LVV-së të cilët tërhoqën para nga Trusti, të njëjtën gjë të mos ua ndalojnë qytetarëve. Vet bashkëshorti i Mimoza Kusari – Lilës ka tërhequr mjete nga Trusti. Kur drejtori i Trustit, ka tërhequr mjete nga Trusti, pse t’u ndalohet qytetarëve dhe pse kjo betejë kaq e madhe e pushtetit kundër kërkesës së qytetarëve”, ka thënë ai.

Ndryshe, seanca e së mërkurës në të cilën ishte paraparë shqyrtimi i tërheqjes nga Trusti e mbajtur të mërkurën është shtyrë për të enjten. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se seanca do të nisë të enjten në orën 10:00.

Nga seanca e dytë e së mërkurës për shkak të mungesës së kuorumit nuk u shqyrtua asnjë pikë e rendit të ditës, me përjashtim të asaj për akcizën në produktet e duhanit.